Të hënën në mëngjes hyri në fuqi një rregullore e re nga Ministria Greke e Financave, e cila ndalon plotësisht tarifat për tërheqjet e parave nga bankomatet e bankave greke.
Deri më tani, çdo klient që tërhiqte para nga një bankomat i një banke që nuk ishte ofruesi i tyre, ngarkohej me një tarifë shtesë.
Në të njëjtën kohë, u vendos një limit kombëtar prej 1.50 € për tërheqjet nga bankomatet e palëve të treta, siç janë ato makina të vendosura në zona të ndryshme turistike dhe që nuk i përkasin një banke të caktuar.
Rregullorja e re ofron sa vijon për përdoruesit e bankomateve në Greqi:
Zero tarifa për tërheqje parash midis të gjitha bankave që marrin pjesë në sistemin ndërbankar DIAS.
Heqja e tarifave nga ofruesit e palëve të treta kur ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë ose e tërthortë aksionare me bankën e klientit.
Zero tarifa edhe nga ofruesit e palëve të treta në bashkitë ku operon vetëm një bankomat.
Limiti maksimal i tarifës prej 1.50 € për tërheqje nga bankomatët e palëve të treta në të gjithë vendin.
Kërkim falas i bilancit për të gjithë mbajtësit e kartave, pavarësisht nga banka ose ofruesi i bankomateve.
Tarifa e vetme prej 0.50 € për dërgimin e remitancave nëpërmjet kanaleve dixhitale (web, celular, internet banking) nga ofruesit e palëve të treta, në të njëjtin nivel me tarifat bankare.
Rregullimi legjislativ që asnjë bankë nuk mund t’u faturojë klientëve të saj për tërheqje parash.
Çfarë çoi në këtë vendim
Gjithçka filloi disa javë më parë kur një bankë kryesore në Greqi zëvendësoi qindra bankomate të saj me makina të ngjashme nga një ofrues i palës së tretë, në të cilin mbeti aksionare.
Klientët e asaj banke zbuluan se kur tërhiqnin para, u ngarkohej një tarifë prej më shumë se 2 eurosh.
Çështja arriti në Parlamentin Grek, me opozitën që kritikoi ashpër qeverinë për këtë çështje dhe Ministrinë e Financave që u përgjigj se nuk do t’u lejonte bankave të vendosnin tarifa të tilla. /Përshtati nga euronews.com, ekofin.al
