Një tjetër projekt i miratuar i cili do të mbështetet nga Komisioni Europian përmes një granti është ai i parkut fotovoltaik të Belshit. Prodhimi i energjisë nga panelet diellore është pjesë e rëndësishme e procesit të diversifikimit të burimeve të energjisë, bazuar në Strategjinë Kombëtare të Energjisë.
Zëvendëskryeministrja si dhe ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, bëri të ditur sot se parku i Belshit, me 50 MW fuqi të instaluar, rrit kapacitetet prodhuese energjetike të Shqipërisë. Sipas saj granti i miratuar nga Komisioni Europian është 9 250 000 euro, ndërsa vlera totale e investimit llogaritet 41 450 000 euro.
Bazuar në të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në tremujorin e tretë të vitit u rrit me 17.5 %, duke arritur vlerën 1.611 GWh nga 1.371 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2022. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 76.7 %, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 21.5 % dhe nga prodhues fotovoltaik në masën 1.8 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
