Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për emërimin e Lira Pipa në postin e zv. ministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
“Kam privilegjin të prezantoj bashkëpunëtoren time shumëvjeçare, që prej APR, krahun tim të djathtë në DPSHTRR, e palodhur në shërbim të së mirës publike dhe interesit të vendit, nga sot zv. Ministër në Ministrinë e re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa”, shkroi Gonxhja në rrjete sociale.
E specializuar në fushën ekonomike dhe të marketingut, dhe me një karrierë të pasur në art si fotografe e pjesëmarrëse në Bienalen e Venecias, Lira spikati përherë në administrimin e suksesshëm të sektorëve që ka drejtuar, me shumë integritet dhe kreativitet.
Gonxhja tha se, “përgjatë veprimtarisë së saj në DPSHTRR, prej vitit 2019 është angazhuar në organizimin e nismave të shumta edukative mbi sigurinë rrugore, projektin risi RETRO për rijetëzimin e koleksionit të mjeteve historike shqiptare duke e kthyer në një lëvizje kulturore të njohur ndërkombëtarisht, organizimin e dy edicioneve të suksesshme të Automotive Fair Albania I dhe II – panairit më të madh automotiv në Shqipëri, programet menaxheriale për burimet njerëzore, si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve përmes komunikimit e marketingut digjital si një qasje inovatore e administratës publike, duke dhënë një kontribut të çmuar në transformimin e imazhit të DPSHTRR, sot një institucion model dhe shembull suksesi e transparence”.
“Ndjeshmëria e saj artistike, energjia që e karakterizon, ndërthurur me aftësinë e saj menaxheriale bashkohen në profilin bashkëkohor dhe modern në administrim, profil të cilin shumë nga ju tashmë e njohin. Falenderoj Kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë Shqiptare për besimin”, theksoi Gonxhja.
