Investimet në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Fushë-Prezë, Tiranë, kanë modernizuar ambientet duke ofruar kushte më të mira dhe shërbime më cilësore për qytetarët.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati dhe drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, inspektuan sot nga efër ecurinë e punës në DRSHTRR Tiranë, ku pavarësisht fluksit të shtuar të punës, qytetarët marrin një shërbim cilësor e pa radhë të gjata pritjeje.
Gonxhja tha se, aktualisht këtu kryhet një volum i madh shërbimesh, që zë rreth 35 % të volumit në shkallë vendi, që arrin deri në 1 milionë shërbime në vit, ku kemi krahas shërbimeve fizike edhe 480 mijë shërbime online.
Gonxhja theksoi se investimet kanë sjellë lehtësim të procedurave për qytetarët.
“Kemi hequr rreth 60 mijë kalime të kontrolli fizik të mjeteve në vit dhe kemi kursyer në vit rreth 90 milionë lekë. Kemi reformuar dhe trajnuar stafet e shërbimeve duke rritur eficiencën dhe cilësinë. Me 500 qytetarë që u shërbehet në orë dhe 4 mijë qytetarëve që u shërbehet në ditë, janë shifra mbresëlënëse”, u shpreh Gonxhja.
Zëvendësministri Bonati, shprehu angazhim maksimal në të gjitha drejtoritë rajonale për t’i shërby çdo qytetari në kohë dhe me cilësi, teksa gjatë këtij inspektimi u ndal dhe bashkëbisedoi me qytetarët e pranishëm në DRSHTRR Tiranë, të cilët u shprehën të kënaqur për punën dhe shërbimin që marrin nga stafi i kësaj drejtorie.
