Bashkia Himarë ka hapur tenderin me fond limit 500 milionë lekë pa TVSH për fazën e dytë të rehabilitimit të fasadave në fshatin Dhërmi. Investimi do të financohet nga buxheti i bashkisë përgjatë tri viteve, nga 2026 deri në 2028, ndërsa zbatimi i kontratës është parashikuar të zgjasë 20 muaj kalendarikë.
Fondi është ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë: 166.67 milionë lekë në vitin 2026, 166.67 milionë lekë në 2027 dhe 166.67 milionë lekë në 2028, të gjitha vlera pa TVSH. Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është 9 shtator 2026, ora 09:00.
Megjithëse procedura mban emrin “Rehabilitimi i fasadave të fshatit Dhërmi, loti II”, dokumentet tregojnë se ndërhyrja është më e gjerë se lyerja apo riparimi i jashtëm i ndërtesave. Projekti parashikon restaurimin e fasadave dhe çative, trajtimin e dyerve, dritareve, grilave, ulluqeve dhe elementeve tradicionale, me synim ruajtjen e tipologjisë dhe karakterit historik të ndërtesave.
Punimet përfshijnë gjithashtu ndërhyrje ndërtimore dhe strukturore, instalime hidrosanitare dhe elektrike, ndriçim, punime me gur, hidroizolime dhe ndërhyrje në hapësirat publike. Dokumentet e tenderit i referohen shprehimisht punimeve në objekte, rrugica, sheshe dhe hapësira publike, çka e bën projektin një ndërhyrje më të gjerë rikualifikuese në zonën e Dhërmiut.
Kontrata do të realizohet me formulën “çelësa në dorë”, pra operatori fitues do të ketë si projektimin e detajuar, ashtu edhe realizimin e punimeve. Nga afati i përgjithshëm, 4 muaj janë parashikuar për realizimin e projektit të zbatimit.
Tenderi vendos edhe kërkesa të konsiderueshme financiare dhe teknike për kompanitë. Operatorët duhet të kenë realizuar në të paktën një nga vitet 2023-2025 një xhiro vjetore jo më të vogël se vlera e kontratës, pra 500 milionë lekë. Për përvojën kërkohet ose një punë e ngjashme me vlerë të paktën 50% të fondit limit, ose punë të ngjashme të realizuara gjatë pesë viteve të fundit me vlerë të përgjithshme jo më të vogël se dyfishi i fondit limit. /ekofin.al
