Më pak se gjysma e subjekteve që kanë detyrim regjistrimin e pronarëve përfitues në regjistër, kanë zbatuar legjislacionin, pavarësisht se afati ka qenë deri më datë 30 Qershor 2021. Për këtë arsye, Ministria e Financave ka hedhur për konsultim ndryshimet në ligjin “Për pronarët përfitues”, për të bërë rregullimet e duhura me qëllim zbatimin e tij. Sipas relacionit, detyrimin për regjistrimin e pronarëve përfitues e kanë 59.165 subjekte raportuese ekzistuese dhe e kanë përmbushur vetëm 21.460.
Po ashtu, nga nga 4861 Organizata Jofitimprurëse ekzistuese vetëm 1961 prej tyre kanë regjistruar të dhënat e pronarëve të tyre përfitues në regjistër. Ndërkaq, nga 2869 subjekte raportuese të krijuara rishtazi pas krijimit të Regjistrit të Pronarëve Përfitues(gjatë periudhës kohore 01.02.2021-10.11.2021), vetëm 1972 subjekte kanë regjistruar të dhënat në regjistër brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të tyre në regjistrin tregtar.
Me qëllim rregullimin e kësaj situate dhe zbatimin e rekomandimeve të ekspertëve të MONEYVAL, të cilët kërkojnë që Shqipëria të krijojë mekanizma që të sigurojnë një numër sa më të lartë të subjekteve raportuese, janë ndërmarrë ndryshime ligjore që synojnë popullimin automatik të regjistrit të pronarëve përfitues nga Qendra Kombëtare e Biznesit për subjektet raportuese që kanë pronësi direkte, duke ju referuar gjendjes se ortakërisë të regjistruar në regjistrin tregtar për subjektet raportuese me pronësi direkte; Shtyrjen e afatit për raportimin fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese ekzistuese me pronësi indirekte të regjistruara në regjistrin tregtar dhe nga Organizatat Jofitimprurëse, deri më datë 01.04.2022.