Qeveria po përgatit një kuadër të ri rregullator për administrimin e zonave të gjuetisë në Shqipëri, duke përcaktuar procedura të detajuara për dhënien me qira të zonave të gjuetisë, mbarështimit dhe ripopullimit të faunës së egër. Projekti i hedhur për konsultim parashikon standardizimin e konkurrimit publik nga bashkitë, me synimin për të rritur transparencën, kontrollin institucional dhe mbrojtjen e biodiversitetit.
Sipas relacionit shoqërues të projektvendimit, akti vjen në zbatim të ligjit të ri “Për Gjuetinë”, miratuar në vitin 2025, dhe synon të krijojë një procedurë të unifikuar për përzgjedhjen e subjekteve që do të administrojnë këto zona. Dokumenti argumenton se deri më tani ka pasur boshllëqe në procedurat e dhënies me qira, mungesë kriteresh të qarta vlerësimi dhe nivel të ulët kontrolli mbi subjektet që menaxhojnë zonat e gjuetisë.
Projektvendimi parashikon që pas shpalljes së zonave të gjuetisë, bashkitë do të detyrohen të hapin procedurat e konkurrimit publik për dhënien me qira të tyre. Kryetari i bashkisë do të ngrejë një komision të posaçëm për administrimin e procesit, ndërsa shpalljet do të duhet të publikohen me elementë të detajuar mbi kriteret, afatet dhe dokumentacionin e kërkuar nga subjektet pjesëmarrëse.
Një nga elementët kryesorë të projektit është vendosja e kritereve më të forta për subjektet që kërkojnë të marrin në administrim zonat e gjuetisë. Ato do të duhet të paraqesin dokumentacion të plotë ligjor, tatimor dhe profesional, si dhe plane biznesi dhe menaxhimi për zonën përkatëse. Në procesin e vlerësimit do të përdoret sistemi i pikëzimit, ku do të vlerësohen kapacitetet teknike, përvoja profesionale dhe oferta financiare.
Sipas draftit, fitues shpallet subjekti që merr më shumë pikë dhe më pas lidhet kontrata e qirasë me afat 5-vjeçar. Parashikohet gjithashtu e drejta e ankimit për subjektet pjesëmarrëse, ndërsa bashkitë do të kenë detyrimin të publikojnë rezultatet e konkurrimit.
Relacioni argumenton se kuadri i ri synon të krijojë një balancë mes përdorimit ekonomik të zonave të gjuetisë dhe mbrojtjes së mjedisit. Në dokument theksohet se pritet të rritet kontrolli ndaj gjuetisë së paligjshme, të forcohen mekanizmat e ripopullimit të faunës dhe të krijohen mundësi të reja zhvillimi ekonomik për zonat rurale përmes investimeve dhe punësimit lokal. /ekofin.al

