Në Forumin e Investimeve BE–Ballkan Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë, Komisioni Evropian, rrjeti europian kërkimor GÉANT dhe Grupi 4iG firmosën një deklaratë të përbashkët, duke konfirmuar angazhimin e tyre për ndërtimin e një infrastrukture të sigurt dhe me kapacitet të lartë që do të forcojë lidhjet digjitale të rajonit me Bashkimin Evropian.
Në fokus të deklaratës u vu mbështetja e BE-së për projektin EAGLE (Egypt–Albania Gateway Link to Europe) – një kabllo nënujore që do të lidhë Shqipërinë me Egjiptin – si dhe për ndërtimin e një “autostrade digjitale” tokësore rajonale, që do të lidhë Ballkanin Perëndimor me qendrat kryesore të të dhënave në Europë.
Së bashku, këto dy investime do të krijojnë një korridor të ri digjital, duke siguruar lidhje të qëndrueshme, me kapacitet të lartë dhe vonesë të ulët ndërmjet rajonit dhe infrastrukturës europiane të të dhënave.
Një urë e re digjitale përmes Shqipërisë
“Kur mbërritëm në Shqipëri tre vite më parë, zgjodhëm një moto që mbetet e vlefshme edhe sot: ne ndërtojmë ura. EAGLE është një nga më të rëndësishmet ndër to,” – deklaroi Péter Fekete, CEO i Grupit 4iG.
“Ky projekt do të sjellë kapacitete ndërkombëtare të transmetimit të të dhënave më afër tregjeve lokale, duke ndërlidhur qendrat e të dhënave, shërbimet cloud dhe ekosistemin digjital nga Afrika dhe Lindja e Mesme deri në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian. Mbështetja e Komisionit Evropian dhe e GÉANT tregon se ky është një investim strategjik për BE-në dhe një forcim i rolit të Ballkanit Perëndimor në të ardhmen digjitale të kontinentit”.
Një projekt në përputhje me “Dekadën Digjitale 2030”
Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore të Komisionit Evropian (DG ENEST) e ka cilësuar EAGLE si një projekt flamur që lidhet drejtpërdrejt me objektivat e Dekadës Digjitale 2030, strategjinë Global Gateway dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Rrjeti i ri tokësor do të rrisë cilësinë e lidhjeve ndërkufitare; ulë kostot e lidhjes ndërmjet vendeve të rajonit; forcojë rrjetet kërkimore dhe arsimore; dhe krijojë bazën për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe startup-eve.
Zbatimi i projektit do të jetë në përputhje me kornizën e sigurisë së BE-së për rrjetet 5G, duke garantuar siguri dhe reziliencë për infrastrukturën digjitale të rajonit.
EAGLE – një portë e re digjitale midis tre kontinenteve
Projekti EAGLE, i zhvilluar bashkërisht nga 4iG Group dhe Telecom Egypt, përfaqëson një lidhje të re ndërkontinentale që bashkon Europën, Azinë dhe Afrikën përmes një kablloje nënujore 2,000 km që do të hyjë në kontinent përmes Shqipërisë dhe Italisë.
Nga aty, një rrjet optik tokësor do të kalojë nëpër Ballkanin Perëndimor, duke lidhur Sofjen, Vjenën dhe Frankfurtin – qendrat më të rëndësishme të të dhënave në Europë.
Ballkani Perëndimor mbetet një ndër rajonet më pak të lidhura në kontinent, me mungesë të infrastrukturës ndërkufitare. Me EAGLE, 4iG synon të përmirësojë ndjeshëm qasjen në internet, bashkëpunimin akademik dhe zhvillimin e bizneseve, duke kontribuar në përfshirjen digjitale dhe qëndrueshmërinë ekonomike të BE-së.
Projekti pritet të jetë funksional në vitin 2028, duke i ofruar Europës rëndësi strategjike, diversitet rrugësh dhe forcim të sovranitetit digjital. /ekofin.al
