Disa nga kompanitë më të mëdha evropiane të telekomunikacionit, Vodafone, Deutsche Telekom, Orange dhe Telefónica kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të shqyrtuar mundësinë e paraqitjes së një oferte të përbashkët për ndarjen e ardhshme të spektrit të frekuencave për Shërbimet Satelitore Celulare (Mobile Satellite Services – MSS) në Evropë.
Nisma mbështet ambicien e Komisionit Evropian për të forcuar sovranitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Evropës në infrastrukturën kritike të komunikimit. Ajo synon të garantojë një administrim të përgjegjshëm evropian të infrastrukturës kryesore hapësinore.
Gjithashtu, nisma do t’u mundësojë të gjithë operatorëve të rrjeteve celulare akses të hapur dhe jodiskriminues për t’u ofruar klientëve të tyre shërbime të lidhjes së drejtpërdrejtë me satelitët (Direct-to-Device – D2D).
Këto shërbime do të ofrohen përmes një modeli të projektuar për të nxitur konkurrencën, për të reduktuar fragmentimin e tregut dhe për të zgjeruar mundësitë e zgjedhjes për konsumatorët në të gjithë Evropën.
Duke bashkuar bazën e gjerë të klientëve, kapacitetet e rrjeteve dhe përvojën operacionale të katër operatorëve, nisma mund të përshpejtojë futjen e këtyre shërbimeve në treg, të mundësojë përdorimin më efikas të spektrit të frekuencave dhe të lehtësojë integrimin e komunikimit satelitor në rrjetet ekzistuese celulare.
Nisma e përbashkët e Vodafone, Deutsche Telekom, Orange dhe Telefónica ka një objektiv të qartë: të përmbushë kërkesën e klientëve për mbulim universal, veçanërisht në zonat ku shërbimet e komunikimit janë të kufizuara, të forcojë qëndrueshmërinë e rrjeteve publike, të mbrojë komunikimet kritike dhe të mbështesë zhvillimin e një konstelacioni europian satelitësh.
Në kuadër të projektit, katër operatorët planifikojnë të krijojnë në Evropë infrastrukturën kryesore të rrjetit tokësor, si dhe funksionet kritike të koordinimit dhe monitorimit, pa investuar drejtpërdrejt në një konstelacion satelitësh.
Infrastruktura satelitore do të sigurohet nga një partner satelitor që ende nuk është përzgjedhur.
Partneriteti ndërmjet nismës së drejtuar nga operatorët celularë dhe operatorit satelitor do të ndërthurë administrimin europian dhe aksesin në treg me teknologjinë satelitore të provuar dhe ekspertizën në vendosjen e kësaj infrastrukture.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi për të shqyrtuar një ofertë të mundshme të përbashkët për spektrin MSS nuk zëvendëson partneritetet ekzistuese satelitore.
