Ndërsa Bashkimi Evropian synon të ndërtojë infrastrukturën e vet të inteligjencës artificiale dhe të reduktojë varësinë nga ofruesit e huaj, një nga qendrat më të mëdha të kompjuterizimit për AI në Europë është hapur në Mynih.
Gjermania ka vënë në funksion një nga “fabrikat” më të mëdha të inteligjencës artificiale në Europë, me synimin për ta pozicionuar vendin – dhe Bashkimin Europian – si një aktor të rëndësishëm në fushën e inteligjencës artificiale sovrane.
E quajtur “Industrial AI Cloud” dhe e zhvilluar nga Deutsche Telekom në bashkëpunim me NVIDIA dhe partnerin e qendrës së të dhënave Polarise, ajo u prezantua në Mynih të mërkurën, pas rreth gjashtë muajsh ndërtimi.
Objekti është projektuar për të ofruar kapacitete të larta llogaritëse për AI për bizneset, studiuesit dhe institucionet publike, duke i mbajtur të dhënat dhe operacionet nën juridiksionin europian.
Drejtori ekzekutiv i Telekom, Tim Höttges, e cilësoi projektin si një provë të ambicieve të Europës, duke thënë: “Ne po investojmë në inteligjencë artificiale, në Gjermani si një qendër biznesi dhe në Europë… Këtu po dëshmojmë se Europa mund të bëjë AI.”
Fabrika e AI funksionon me pothuajse 10 mijë procesorë grafikë NVIDIA Blackwell, duke ofruar deri në 0.5 exaFLOPS fuqi llogaritëse – mjaftueshëm, sipas Telekom, që të gjithë 450 milionë qytetarët e BE-së të përdorin njëkohësisht një asistent të inteligjencës artificiale.
Në mënyrë thelbësore, infrastruktura operon sipas rregullave strikte gjermane dhe europiane për mbrojtjen e të dhënave, një shtyllë kryesore e asaj që politikëbërësit e quajnë sovranitet digjital.
Zëvendëskancelari dhe ministri i Financave i Gjermanisë, Lars Klingbeil, tha se projekti tregonte se investimet private po përputheshin me ambicien politike, duke shtuar se “udhëheqja teknologjike duhet të jetë në qendër të modelit të ardhshëm të biznesit të Gjermanisë” dhe se fabrika “forcon sovranitetin digjital”.
Projekti thekson gjithashtu të ashtuquajturin “Deutschland stack”, të zhvilluar me SAP, i cili kombinon infrastrukturën cloud, softuerët e biznesit dhe mjetet e AI në një platformë të vetme për kompanitë dhe institucionet publike.
Përdorimet industriale janë në qendër të nismës. Kompania gjermane Siemens po integron pjesë të portofolit të saj të simulimit SIMCenter në AI Cloud, ndërsa rreth 10 kompani janë tashmë pjesë e sistemit të ri.
Drejtuesi i Siemens, Cedrik Neike, tha se kjo platformë “e redukton ndjeshëm kohën e simulimeve për klientët tanë”, duke shtuar se “kjo nuk është një premtim për të ardhmen… është tashmë realitet”.
Fabrika synon gjithashtu të jetë e qëndrueshme nga ana mjedisore: funksionon tërësisht me energji të rinovueshme, përdor ujë lumi për ftohje dhe planifikon të rikthejë nxehtësinë e tepërt në zonat përreth Mynihut.
“Industrial AI Cloud” është tashmë e hapur për industrinë, startup-et, institucionet kërkimore dhe autoritetet publike.
