Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, mori pjesë në forumin “Dogana dhe biznesi në vitin 2023”, organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham).
Fokusi i takimit ishte diskutimi mbi faktet dhe shifrat konkrete që tregojnë se marrëdhëniet biznes-dogana janë përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, teksa u theksua se gjithmonë ka hapësira për përmirësime të mëtejshme drejt një dogane moderne me standardet e BE apo SHBA-së.
Kreu i Doganave, Gazheli bëri një prezantim të zhvillimeve të rëndësishme që lidhen me digjitalizimin e shërbimeve doganore, aplikacionet e reja që pritet të ofrohen për sigurimin në kohë reale të informacionit apo shërbimeve të caktuara, por edhe aspekte të raporteve biznes-dogana, për të cilat theksoi se janë në një stad shumë pozitiv.
Gjatë këtij Forumi u diskutua edhe mbi metodikat e vlerësimit apo çmimin e referencës, duke marrë në konsideratë ndjeshmërinë që ka përdorimi i tyre nga dogana, si dhe rekomandimet e OBD për rritjen e standardeve të vlerësimit.
Gazheli informoi se administrata doganore ka marrë masa me synim reduktimin sa më shumë të jetë e mundur përdorimin e tyre.
“Për periudhën janar-maj 2023 është regjistruar shifra më e lartë e përdorimit të transaksionit, në 97 % duke konfirmuar realizimin e një ndër prioriteteve tona në strategjinë e lehtësive ndaj biznesit”, tha Gazheli.
Gazheli vlerësoi se mjaft problematika që ka pasur biznesi, tashmë kanë marrë zgjidhje edhe falë koordinimit të dy administratave Tatime – Doganë.
