Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se, buxheti i vitit 2022, alokon 3.3% të PBB, për mbështetjen e biznesit, i cili do të garantojë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Në fjalën e saj në Kuvend, gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2022, Ibrahimaj theksoi se, “mbështetja dhe nxitja e sipërmarrjes do të realizohet nëpërmjet zbatimit të disa skemave: mbështetje për ndërmarrjet prodhuese për të nxjerrë në treg produktin “Made in Albania”; disbursimin e një Garancie Sovrane me vlerë 1 miliard lekë për Manifakturën dhe Sipërmarrjen; hartimin e Strategjisë së Eksporteve që synon ndërkombëtarizimin e produkteve tona në tregun rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe nisjen e zbatimit të fazës së dytë të projektit Eu4innovation, financuar nga Bashkimi Europian, në një shumë prej 10 milionë euro, nga të cilat rreth 4 milionë euro janë grante.
Ibrahimaj vuri në dukje se, fokus i veçantë do të adresohet edhe në zhvillimin e zinxhirit të vlerës për bimët medicinale, frutat dhe perimet.
“Me një fond prej 1.8 milion euro, të akorduar nga qeveria zvicerane do të mbështesim rritjen e produktivitetit nga kultivuesit, grumbulluesit e deri tek eksportuesit e këtij sektori që është me potenciale të mëdha për ekonominë e vendit dhe atë atë rurale”, tha Ibrahimaj.
Gjithashtu vijoi ministrja, në vëmendje do të jenë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Do të mbështetim SME dhe startup-et me një grant prej 250 milion lekë për t’i ndihmuar në rritjen e konkurrueshmërisë. Do të përqendrohemi për trajnimin, këshillimin dhe rritjen e SME, me fokus SME në turizëm dhe agrobiznes për të kapërcyer pasojat e pandemisë, nëpërmjet projektit të financuar nga qeveria gjermane me 4.2 milionë euro”, u shpreh Ibrahimaj.
Ndërsa theksoi se, me ndihmën e Bankës Botërore, do t’i ofohet SME-ve, webinare të targetuara për tregtinë elektronike dhe dixhitalizmin, si dhe do të vazhdojë projekti me Bankën Botërore në sajë të të cilit do të trajnohen rreth 400 gra me aftësi në dixhitalizim.