Përfundoi këtë të hënë afati për paraqitjen e kandidaturave për anëtarin e nëntë të Këshillit Mbikëqyrës të Banka e Shqipërisë, një proces që u rihap pas mosplotësimit të vendit vakant në thirrjen e parë të zhvilluar në muajin shkurt.
Sipas informacioneve të siguruara nga Ekofin.al, në garë janë paraqitur disa emra të njohur nga fusha akademike, financiare dhe administrative, ku një pjesë e tyre kishin shprehur interes edhe gjatë procesit të parë.

Mes kandidatëve është Saimir Muçmataj, aktualisht Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Konsumatorëve në Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Ai ka një eksperiencë të gjatë në hartimin e politikave financiare dhe legjislacionit ekonomik, pas më shumë se shtatë vitesh në funksione drejtuese pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Muçmataj ishte kandidaturë edhe në procesin e parë në shkurt.

Në listën e kandidatëve figuron edhe prof. dr. Adela Karapici, pedagoge e Fakultetit të Ekonomisë me më shumë se 15 vite eksperiencë në mësimdhënien e makroekonomisë, makroekonomisë së avancuar dhe rritjes ekonomike. Që prej vitit 2017 ajo drejton Bordin e Administrimit të Universitetit të Tiranës dhe më herët ka mbajtur detyrën e zëvendësministres së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes. Edhe znj. Karapici ka riaplikuar.

Tjetër riaplikim është ai i Ingrid Konomit, e njohur për aktivitetin e saj akademik dhe ekspertizën në fushat financiare e bankare, si dhe për angazhimin e mëparshëm në pozicionin e zëvendësdrejtores së përgjithshme të ALUIZNI.
Në garë rikthehet edhe Artan Hoxha, të cilit i mbaroi në dhjetor mandati si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i zgjedhur që prej vitit 2018. Jurist me karrierë të gjatë akademike, ai mban aktualisht detyrën e rektorit në Universitetin e Tiranës, ndërsa më parë ka qenë edhe dekan i Juridikut.
Mes emrave të paraqitur është edhe Senida Mesi. Ish-zëvendëskryeministre dhe ish-deputete, ajo është përfshirë më parë edhe në fushën akademike dhe qeverisjen vendore, pasi ka dhënë mësim në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës dhe ka shërbyer në disa funksione publike para angazhimit në politikë.

Kandidat është gjithashtu edhe Ermal Frashëri, i cili ka përfunduar studimet doktorale në Harvard Law School dhe ka një profil të spikatur në fushën e së drejtës, zhvillimit ekonomik dhe integrimit europian. Pas drejtimit të Korporatës së Investimeve Shqiptare, ai aktualisht mban pozicionin e nënkryetarit të bordit të saj.
Në listën e kandidatëve ndodhet edhe Tonin Kola. Ai ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej vitit 2014 dhe më herët ka shërbyer në të njëjtin organ gjatë periudhës 1999-2006. Aktualisht drejton Departamentin e Ekonomiksit në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.
Me mbylljen e afatit të aplikimeve, pritet që procedurat parlamentare të vijojnë me shqyrtimin e kandidaturave dhe përzgjedhjen e emrit që do të marrë firmat e deputetëve për t’u votuar në seancë dhe për të plotësuar vendin e fundit vakant në organin më të lartë vendimmarrës të Bankës së Shqipërisë. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.




