Vitet e fundit janë rritur sulmet kibernetike ndaj institucioneve publike, por edhe subjekteve private. Edhe pse investojnë shuma të kondierueshme në drejtim të përmirësimit të sistemeve të tyre, në veçanti ato që garantojnë mbrojtje ndaj sulmeve kibernetike, bankat janë institucionet që shënjestrohen më shpesh nga hakerat. Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet e sigurisë, gjatë vitit 2023, 11 bankat tregtare u përballën me rreth 500 sulme kibernetike ndaj sistemeve të tyre, nga brenda dhe jashtë vendit.
Siguria kibernetike merr rëndësi thelbësore në botën digjitale ku po jetojmë dhe ndërgjegjësimi për të “lundruar” sa më të sigurt dhe për të përdorur në mënyrë sa më të mbrojtur sistemet e e-banking dhe avantazhet që sjell teknologjia është me rëndësi të trajtohet si një kompotent i fushatave për edukimin financiar.
Në këtë kuadër, si pjesë e nismës së ndërmarrë nga Shoqata Shqiptare e Bankave për ndërgjegjësimin për sigurinë kibernetike, Drejtuesi i Departamentit të Sigurisë në OTP Bank Albania, Reglendi Xhango mbajti një orë të hapur leksioni me studentët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Elbasanit.
“Siguria kibernetike nuk është thjesht mbrojtje nga kërcënimet, por edhe një mundësi për të ndërtuar besim dhe për të siguruar vazhdimësinë e inovacionit në botën digjitale. Prandaj, kjo sfidë kërkon bashkëpunim të ngushtë midis sektorit bankar, institucioneve arsimore dhe të rinjve që janë e ardhmja e këtij sektori,” u shpreh ndër të tjera Xhango.
OTP Bank Albania, me mbështetjen e OTP Group, ka realizuar një sërë investimesh përgjatë viteve të fundit në sistemet e teknologjisë së informacionit. Kjo u dëshmua edhe në integrimin e sistemeve pas blerjes së Alpha Bank nga ana e grupit hungarez. Gjithashtu OTP njofton se do të vijojë të ketë në fokus dhe do të mbështesë nismat për edukimin financiar dhe inovacionin.
Së fundmi, edhe Banka e Shqipërisë, ka deklaruar se shumë shpejt do të ketë ndryshime ligjore, që synojnë rritjen e mëtejshme të sigurisë së bankave ndaj sulmeve kibernetike.
Kjo është gjithashtu pjesë e strategjisë afatmesme të BSH, por edhe shkon në të njëjtën linjë me strategjitë kombëtare për rritjen e sigurisë kibernetike, edhe pse sulmeve të fundit, të ndodhur në vitin 2022, që sollën probleme me disa nga rrjetet dhe sistemet publike. /ekofin.al

