Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi ndryshime në rregulloren që përcakton standardet e cilësisë së shërbimit dhe sigurisë së rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, duke vendosur objektiva të rinj për periudhën 2026-2028.
Vendimi synon përmirësimin gradual të cilësisë së furnizimit me energji për konsumatorët dhe përshtatjen e standardeve me zhvillimet e tregut të energjisë.
Sipas rregullave të reja, pritet përmirësim i treguesve kryesorë të cilësisë, përfshirë energjinë e pafurnizuar, kohëzgjatjen mesatare të ndërprerjeve për klient dhe frekuencën e ndërprerjeve.
Parashikohet që kohëzgjatja mesatare e ndërprerjeve të ulet nga 36,07 orë në vitin 2026 në 34,64 orë në vitin 2028, ndërsa frekuenca mesatare e ndërprerjeve të ulet nga 21,72 në 20,86 ndërprerje për klient.
Një tjetër ndryshim lidhet me rritjen e transparencës ndaj konsumatorëve. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) do të jetë i detyruar të publikojë rregullisht treguesit e cilësisë së shërbimit: çdo tre muaj për rezultatet periodike dhe çdo janar për performancën vjetore të vitit të kaluar.
Vendimi sjell gjithashtu përmirësime në mekanizmat e kompensimit për furnizuesit në rastet e ndërprerjeve të paplanifikuara, duke parashikuar kompensim edhe për disbalancat që krijohen si pasojë e këtyre ndërprerjeve në rrjetin e shpërndarjes.
Sipas ERE-s, ndryshimet janë ndërmarrë në vijim të rekomandimeve të Kuvendit për rishikimin e standardeve të cilësisë së shërbimit, si dhe bazuar në raportimet e OSSH-së, të cilat tregojnë një trend përmirësues të treguesve të performancës së rrjetit.

