Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të marrë përgjegjësi të zgjeruara për kontrollin e territorit.
Pas riorganizimit IKMT do të kryejë edhe kontrollin e mjedisit, ajrit, ujërave, pyjeve, zonave të mbrojtura dhe mbetjeve, ndërsa funksionet inspektuese, punonjësit dhe asetet përkatëse të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura do t’i kalojnë strukturës së riorganizuar.
Vendimi i qeverisë, i datës 30 korrik, parashikon ngritjen e 12 drejtorive rajonale të IKMT-së, nga një për çdo qark, ndërsa procesi i transferimit të dosjeve, arkivave, punonjësve, fondeve dhe pajisjeve duhet të përfundojë brenda tre muajve nga hyrja e tij në fuqi.
Me strukturën e re, IKMT-ja nuk do të jetë më e përqendruar vetëm te ndërtimet e kundërligjshme dhe mbrojtja e territorit. Kompetencat e saj do të përfshijnë kontrollin e zbatimit të ligjit për peizazhin, tokën, ajrin, ujërat, pyjet, zonat e mbrojtura, produktet e ndërtimit, burimet ujore dhe menaxhimin e mbetjeve.
Institucioni do të jetë person juridik publik, në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe do të financohet nga buxheti i shtetit. Buxheti i IKMT-së do të jetë zë më vete brenda buxhetit të ministrisë.
Nga AKM-ja dhe AKZM-ja transferohen punonjësit, fondet dhe dosjet
Punonjësit që kryejnë funksione inspektuese pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura do të transferohen te IKMT-ja dhe drejtoritë e saj rajonale.
Bashkë me personelin do të kalojnë edhe fondet buxhetore, dokumentacioni, arkivat, dosjet në proces, mjetet, pajisjet dhe asetet e tjera që lidhen me funksionet inspektuese.
Deri në funksionimin e plotë të strukturës së re, IKMT-ja, AKM-ja dhe AKZM-ja do të vazhdojnë të ushtrojnë përgjegjësitë aktuale, me synimin që të mos ndërpriten procedurat dhe kontrollet në proces.
Institucionet kanë tre muaj kohë për të përfunduar riorganizimin dhe transferimin e të drejtave dhe detyrimeve administrative.
Vendimi nuk parashikon fonde shtesë për këtë proces. Efektet financiare do të përballohen brenda buxhetit vjetor të miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Krijohen 12 drejtori rajonale
IKMT-ja do të organizohet në dy nivele: drejtoria qendrore në Tiranë dhe 12 drejtori rajonale në qarqet Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë, Kukës, Shkodër, Berat, Dibër, Elbasan, Fier, Lezhë dhe Gjirokastër.
Drejtoritë rajonale do të mbledhin dhe analizojnë të dhëna, do të kryejnë inspektime sipas planeve vjetore dhe mujore dhe do të bashkëpunojnë me bashkitë, Policinë e Shtetit dhe agjenci të tjera publike.
Inspektimet do të planifikohen mbi bazën e vlerësimit të riskut. IKMT-ja do të hartojë programe vjetore dhe mujore, do të përcaktojë objektivat për secilën fushë dhe do të monitorojë si drejtoritë e veta rajonale, ashtu edhe strukturat inspektuese të bashkive.
Institucioni do të ketë të drejtë të marrë masa dhe të vendosë sanksione kur evidentohen shkelje, sipas ligjeve përkatëse. Në rastet kur konstatohen elemente të veprës penale, trupa inspektuese duhet të referojë kallëzimin dhe materialet pranë organeve kompetente.
Vendimet përfundimtare nënshkruhen në nivel qendror
Qeveria ka vendosur që, megjithëse inspektimet mund të kryhen nga drejtoritë rajonale, vendimi përfundimtar për procedurat e zhvilluara prej tyre do të nënshkruhet nga kryeinspektori qendror.
Kryeinspektori do të nënshkruajë edhe vendimet për marrjen e masave dhe vendosjen e sanksioneve administrative, si për procedurat e kryera nga struktura qendrore, ashtu edhe për ato të zhvilluara në qarqe.
Kjo e vendos miratimin përfundimtar të masave administrative në nivelin qendror të IKMT-së, ndërsa drejtoritë rajonale do të kenë kryesisht rol inspektues, raportues dhe bashkëpunues me institucionet vendore.
Për lejet e ndërtimit që janë në kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, procesi i kontrollit dhe monitorimit do të bashkërendohet me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit.
Inspektorët do të punësohen sipas Kodit të Punës
Sipas vendimit, marrëdhëniet e punës së inspektorëve të strukturës qendrore dhe rajonale do të rregullohen sipas Kodit të Punës, ligjit për inspektimin dhe legjislacionit sektorial.
Pozicionet inspektuese do të përfshijnë kryeinspektorin qendror, kryeinspektorët rajonalë, drejtorët, përgjegjësit e sektorëve dhe inspektorët. Struktura dhe numri i punonjësve do të miratohen më pas nga Kryeministri, pasi të merret mendimi i detyrueshëm i Inspektoratit të Përgjithshëm.
Vendimi i vitit 2015 për organizimin dhe funksionimin e IKMT-së shfuqizohet. /ekofin.al
