Rritja e pagave në sektorin publik, por tashmë edhe përpjekjet e administratës tatimore për të formalizuar pagat në sektorin privat, sidomos në 3-mujorin e fundit të vitit të kaluar, përmes aksioneve dhe kontrolleve anti-informalitet, duket se kanë dhënë rezultat në rritjen e pagave në vend. Referuar shifrave të fundit të publikuara nga INSTAT për 3-mujorin e fundit të vitit të kaluar, paga mesatare bruto në shkallë vendi arriti në 83.401 lekë, duke u rritur me 11,2 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Rritja më e ndjeshme, vërehet në sektorin privat këtë herë, ndryshe nga trendet e tre-mujorëve të mëparshëm. Paga mesatare në sektorin privat arriti në 76.000 lekë, nga 69.534 që ishte në tre-mujorin e tretë të vitit 2024. Ndërkohë, në sektorin publik, paga mesatare arriti në 100.437, nga 96.856 lekë që ishte në tre-mujorin e tretë.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2024 paga mesatare bruto për grup- aktivitetin e Ndërtimit, ka rritjen më të madhe prej 14,9 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grupaktiviteti Informacioni dhe komunikacioni prej 5,9 %, konstaton INSTAT.
Pikërisht ky konstaton nënkupton se formalizimi i sektorit të ndërtimit, i cili shpesh nga tatimet si sektori me risk më të lartë për informalitet, ka sjellë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në rritjen e pagës mesatare jo vetëm për sektorin, por edhe në shkallë vendi.
Gjatë tremujorit të katërt 2024, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni.
Gjatë tremujorit të katërt 2024, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar. /ekofin.al

