Forcimi i lekut ndaj euros gjatë viteve të fundit nuk ka qenë një fenomen i rastësishëm, por rezultat i drejtpërdrejtë i përmirësimeve strukturore në ekonominë shqiptare. Sipas analizës së fundit në Raportin Vjetor 2025 të Bankës së Shqipërisë, monedha vendase është mbiçmuar me rreth 21% në periudhën 2021–2025, ku pjesa më e madhe e këtij forcimi – rreth 75% – ka ndodhur gjatë viteve 2023 dhe 2024. Megjithatë, ritmi i forcimit është ngadalësuar ndjeshëm në vitin 2025, në vetëm 2.8%, edhe si rezultat i rritjes së pranisë së bankës qendrore në tregun valutor.
Konkretisht, në këtë zhvillim qëndron një përmirësim i dukshëm i bilancit të pagesave të vendit. Eksportet totale pothuajse janë dyfishuar në katër vite, duke arritur në rreth 9.8 miliardë euro, ndërsa turizmi ka qenë faktori dominues, me të ardhura që janë rritur nga 1.9 miliardë euro në 5.5 miliardë euro. Paralelisht, remitancat janë rritur në 1.1 miliardë euro, ndërsa investimet e huaja direkte kanë arritur në rreth 1.6 miliardë euro. Këto flukse të larta valutore kanë krijuar një ofertë të shtuar euroje në tregun vendas, duke ushtruar presion natyror për forcimin e lekut, thekson BSH.
Për pasojë, edhe treguesit makroekonomikë të jashtëm janë përmirësuar ndjeshëm. Deficiti i llogarisë korrente dhe ai tregtar janë ngushtuar me rreth 7 pikë përqindjeje të PBB-së, ndërsa hyrjet e kapitalit kanë tejkaluar ndjeshëm nevojat financuese të ekonomisë. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë e konsideron forcimin e lekut si një fenomen kryesisht strukturor dhe të lidhur me konvergjencën ekonomike të vendit drejt Bashkimit Evropian.
Ky zhvillim nuk ka qenë pa pasoja. Nga njëra anë, forcimi i kursit real të këmbimit reflekton rritje të produktivitetit dhe të ardhurave në ekonomi, sidomos në sektorin e turizmit dhe shërbimeve. Nga ana tjetër, ai ushtron presion mbi eksportuesit dhe sektorët që operojnë në valutë të huaj. Megjithatë, Banka e Shqipërisë thekson se në një regjim të lirë të kursit të këmbimit, këto efekte janë pjesë e një procesi natyror rregullues të ekonomisë.
Në këtë kuadër, politika monetare ka ndjekur një qasje të kujdesshme. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë vetëm në mënyrë të kufizuar dhe të përkohshme në tregun valutor, duke i lënë kursit të këmbimit rolin e “stabilizatorit automatik”. Kjo strategji ka ndihmuar në amortizimin e goditjeve inflacioniste që erdhën nga rritja e çmimeve ndërkombëtare dhe presionet e brendshme nga pagat dhe kërkesa.
Sipas vlerësimeve të bankës qendrore, një ndërhyrje më agresive për të mbajtur kursin artificialisht të dobët do të kishte pasoja të rënda për ekonominë. Në një skenar hipotetik ku euro do të mbahej në nivelin 115.5 lekë, inflacioni do të rritej në 6–7%, norma bazë e interesit do të duhej të shkonte deri në 7%, ndërsa rritja ekonomike do të ngadalësohej ndjeshëm në rreth 2.6%. Kjo do të përkthehej në rritje të papunësisë dhe përkeqësim të cilësisë së kredive në sistemin bankar.
Në këtë prizëm, mesazhi i Bankës së Shqipërisë është i qartë: forcimi i lekut është një reflektim i përmirësimit të themeleve të ekonomisë dhe jo një devijim që kërkon korrigjim agresiv. Ndërhyrjet në treg mbeten të justifikuara vetëm në raste ekstreme, si mungesa e likuiditetit, rreziqe për stabilitetin financiar apo ç’ankorimi i pritjeve për inflacionin. /ekofin.al
