Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka çelur edicionin e dytë të iniciativës “Investor Support Days”, një platformë e krijuar për të forcuar dialogun me investitorët e huaj, për të thelluar bashkëpunimin institucional dhe për të nxitur zgjerimin e investimeve ekzistuese në Shqipëri.
Pas suksesit të edicionit të parë, që u vlerësua gjerësisht nga komuniteti i biznesit dhe përfaqësitë diplomatike, AIDA vijon këtë vit me një seri takimesh të reja dedikuar investitorëve nga Zvicra (5 nëntor), Mbretëria e Bashkuar (12 nëntor) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (3 dhjetor). Tryezat do të zhvillohen pranë zyrave të AIDA-s dhe do të mbledhin bashkë përfaqësues të kompanive me kapital të huaj që operojnë në vend, institucione qeveritare, organizata ndërkombëtare dhe palë të tjera të interesuara.
Përmes kësaj nisme, AIDA synon të krijojë një kanal të qëndrueshëm komunikimi midis investitorëve dhe institucioneve shtetërore, duke adresuar sfidat konkrete që has biznesi dhe duke promovuar një klimë të qëndrueshme për investime afatgjata. Takimet ofrojnë një hapësirë të drejtpërdrejtë ku investitorët ndajnë përvojat e tyre dhe marrin informacion mbi masat lehtësuese, programet mbështetëse dhe reformat e fundit ekonomike që ndikojnë në fushën e investimeve.
Referuar iniciativës, Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, Znj. Laura Saro, thekson se “Investitorët janë partnerët tanë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe këtë rrugëtim i ftojmë ta përshkrojnë me ne, duke ofruar asistencë të dedikuar dhe zgjidhje konkrete të nevojave e problematikave.”
Edicioni i parë i “Investor Support Days”, zhvilluar gjatë vitit 2024, përfshiu takime me përfaqësues të Italisë, Turqisë, Hungarisë, Austrisë, Francës, Greqisë dhe Gjermanisë, duke krijuar një platformë të hapur diskutimi mbi përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe promovimin e investimeve të reja.
Gjatë këtyre takimeve, AIDA prezantoi potencialet kryesore të ekonomisë shqiptare, sektorët prioritarë për investime – si energjinë e rinovueshme, turizmin, bujqësinë e përpunuar, teknologjinë e informacionit dhe industrinë prodhuese – si edhe instrumentet ligjore e fiskale që mbështesin investitorët e huaj në vend.
Në bashkëpunim me ambasadat respektive dhe dhomat e tregtisë, u evidentuan disa raste konkrete të zgjerimit të investimeve ekzistuese, si dhe u hodhën bazat për nisma të reja në kuadër të programeve të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe partnerëve strategjikë europianë e euroatlantikë.
Në edicionin e këtij viti, vëmendja do të përqendrohet në forcimin e partneriteteve ekonomike me vendet që kanë prani të konsoliduar investuese në Shqipëri dhe në identifikimin e sektorëve të rinj me potencial të lartë zhvillimi, në përputhje me Strategjinë Kombëtare “Shqipëria 2030”.
Kjo strategji synon të kthejë Shqipërinë në një qendër rajonale tërheqëse për investime në fusha si energji e pastër, logjistikë, inovacion digjital dhe turizëm gjithëvjetor, duke u mbështetur në stabilitetin makroekonomik, reformën e administratës publike dhe përmirësimin e infrastrukturës kombëtare.
AIDA do të vijojë të luajë një rol aktiv si ndërmjetëse midis institucioneve dhe biznesit, përmes një qasjeje proaktive në ofrimin e informacionit, asistencës teknike dhe mbështetjes institucionale për investitorët ekzistues dhe potencialë.
Nëpërmjet “Investor Support Days”, AIDA po forcon besimin e investitorëve të huaj dhe po promovon Shqipërinë si një destinacion të sigurt, konkurrues dhe me potencial të lartë zhvillimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
