Me mbi 20 miliardë dollarë financime të miratuara dhe më shumë se 60 miliardë dollarë investime të mobilizuara në nivel botëror, Fondi i Gjelbër për Klimën përbën një nga instrumentet më të rëndësishme për mbështetjen e vendeve në zhvillim në përballjen me sfidat e ndryshimeve klimatike.
Në këtë intervistë për Ekofin.al, Thomas Eriksson, Drejtor për Europën, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme në Fondin e Gjelbër për Klimën, flet për potencialin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor për të tërhequr më shumë financime klimatike, sfidat që pengojnë realizimin e investimeve, rolin që mund të luajë sistemi financiar shqiptar, si dhe prioritetet për forcimin e rezistencës së vendit ndaj përmbytjeve, zjarreve dhe pasojave të tjera të ndryshimeve klimatike. Ai zbulon gjithashtu se fondi po shqyrton mundësinë e akreditimit të institucioneve financiare shqiptare për akses të drejtpërdrejtë në fondet klimatike, një zhvillim që mund të hapë një kapitull të ri për financimin e ekonomisë së gjelbër në Shqipëri. Zoti Eriksson ishte ndër të ftuarit panelistë në konferencën e Microfinance Center, që u zhvillua së fundmi në Durrës.
Ku e shihni Shqipërinë dhe rajonin në panoramën globale të mjedisit? Shqipëria është pjesë e Marrëveshjes së Parisit dhe ka një strategji kombëtare. Por, sipas ministrit të Mjedisit, ekziston një boshllëk i madh në sigurimin e financimeve për realizimin e reformave klimatike.
Rajoni që mbuloj është shumë i gjerë dhe përfshin shumë vende të ndryshme. Nëse po flasim për Ballkanin Perëndimor, atëherë po, nevojat për mbështetje janë shumë të mëdha.
Nga pozicioni im, ne nuk kemi arritur ende të investojmë mjaftueshëm në këtë rajon dhe kjo është një nga arsyet pse ndodhem këtu: për të punuar më shumë me vendet dhe partnerët lokalë në mënyrë që të sjellim më shumë financime klimatike në rajon.
Çështja kryesore, sipas mendimit tim, është se të gjitha vendet kanë strategji dhe plane klimatike, por pyetja është: pse investimet nuk po vijnë për t’i mbështetur këto plane? Ky është fokusi kryesor.
Prandaj është shumë e rëndësishme të shohim konferenca si kjo me institucionet e mikrofinancës, për të kuptuar nëse mund të krijohen partneritete midis financimeve klimatike dhe institucioneve që arrijnë deri te komunitetet lokale, te grupet më vulnerabël dhe te qytetarët.
Për Shqipërinë dhe rajonin është e rëndësishme të gjenden modele që tërheqin financime klimatike drejt mundësive konkrete të investimit. Një tjetër aspekt ku nuk kemi qenë mjaftueshëm të suksesshëm është përfshirja më e madhe e sektorit privat në financimet klimatike.
Në të njëjtën kohë, duhet të vazhdojë forcimi i kapaciteteve institucionale. Kjo vlen shumë edhe për Shqipërinë. Duhet parë se çfarë mund të bëhet me institucionet financiare ndërkombëtare dhe me sektorin financiar shqiptar, jo vetëm me mikrofinancën, por edhe me bankat.
Si mund të përfshihet më shumë sistemi financiar shqiptar në financimet klimatike?
Aktualisht, partnerët që arrijnë të tërheqin më lehtë financime klimatike janë institucionet e mëdha globale, si European Bank for Reconstruction and Development, IFC, World Bank dhe bankat e mëdha zhvillimore franceze, gjermane apo italiane.
Ajo që mungon është aksesi i drejtpërdrejtë i institucioneve financiare shqiptare në këto fonde. Pikërisht këtë kam diskutuar në takimet e fundit me qeverinë shqiptare dhe ministrin e Mjedisit.
Do të shqyrtojmë nëse ka institucione financiare shqiptare që mund të akreditohen për të marrë drejtpërdrejt financime nga Fondi i Gjelbër për Klimën. Kjo do të ishte shumë pozitive për të mundësuar hyrjen e financimeve klimatike direkt në sistemin financiar shqiptar.
A po planifikon Fondi i Gjelbër për Klimën të hapë zyra në Ballkanin Perëndimor?
Aktualisht jemi të bazuar vetëm në Seul, në Korenë e Jugut. Por po planifikojmë të hapim zyra rajonale. Vendndodhjet dhe afatet do të përcaktohen nga bordi ynë në javët e ardhshme.
Përveç kësaj, ne bashkëpunojmë me autoritetet kombëtare të përcaktuara në secilin vend. Në Shqipëri, ky rol kryhet nga Ministria e Mjedisit, e cila shërben si një lloj “zyre e zgjeruar” e jona në terren.
Në disa vende kemi krijuar edhe funksione ndërlidhëse lokale. Kjo do të thotë punësimin e një personi që punon në vend dhe shërben si urë lidhëse mes fondit dhe institucioneve kombëtare. Do të shohim nëse Shqipëria është e interesuar për një model të tillë. Aktualisht nuk kemi një funksion të tillë në Shqipëri, por e kemi në disa vende të tjera.
Shqipëria konsiderohet shumë vulnerabël ndaj fatkeqësive natyrore si përmbytjet, zjarret dhe tërmetet. Çfarë duhet të bëjë vendi për t’i adresuar këto rreziqe?
Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme dhe është diçka me të cilën ne punojmë vazhdimisht. Shumë vende po e ndjejnë gjithnjë e më shumë ndikimin e ndryshimeve klimatike, jo vetëm përmes fatkeqësive natyrore, por edhe në ekonomi.
Ndryshimet klimatike mund të reduktojnë të ardhurat nga bujqësia apo sektorë të tjerë kyç, përveç dëmeve direkte nga katastrofat.
Rajoni ka vuajtur shumë nga përmbytjet, zjarret dhe rrëshqitjet e dherave, të lidhura me ndryshimet klimatike dhe ndryshimet në regjimet e ujërave. Tërmetet, sigurisht, lidhen me aktivitetin sizmik dhe jo drejtpërdrejt me klimën.
Nga këndvështrimi i financimeve klimatike, mund të bëhen disa gjëra. Së pari, duhet të investohet në sisteme më të forta informacioni klimatik dhe sisteme paralajmërimi të hershëm, për të kuptuar më mirë çfarë po ndodh dhe cilat mund të jenë ndikimet.
Këto sisteme mund të ndihmojnë edhe në paralajmërimin e popullsisë lokale për përmbytje apo rreziqe të tjera.
Së dyti, duhet investuar drejtpërdrejt në rritjen e rezistencës ndaj klimës. Kjo mund të përfshijë forcimin e mbrojtjes nga përmbytjet, përforcimin e brigjeve të lumenjve apo zgjidhje natyrore për mbrojtjen nga katastrofat.
Por është po aq e rëndësishme të forcohet edhe rezistenca e njerëzve më të prekshëm, veçanërisht fermerëve të vegjël dhe komuniteteve që varen drejtpërdrejt nga toka. Nëse rritet aftësia e tyre për të përballuar goditjet klimatike, atëherë forcohet edhe aftësia e vendit për t’u përballur me to.
Prandaj unë do të fokusoja vëmendjen në tre elemente kryesore: sistemet e informacionit dhe paralajmërimit të hershëm, forcimin e sistemeve natyrore mbrojtëse dhe rritjen e rezistencës së njerëzve më të ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike.

