Fondi Besa ka njoftuar se është kryer disbursimi me vlerë 8 milionë Euro nga Invest in Visions që është një pioner në fushën e investimeve në mikrofinancë. Fondet e menaxhuara nga Invest in Visions ofrojnë mundësi investimi për investitorët në projekte që sjellin përfitime sociale, përveç atyre financiare.
Njoftimi i plotë:
Jemi të lumtur të njoftojmë disbursimin e suksesshëm prej 8 milionë EUR nga Invest in Visions për Fondin Besa, të mundësuar nga Agents for Impact.
“Invest in Visions” është një pionier në fushën e investimeve në mikrofinancë. E themeluar në vitin 2006, fondet që menaxhon ofrojnë mundësi investimi për investitorët në projekte që sjellin perfitime sociale, përveç atyre financiare, dhe që kanë një ndikim pozitiv në shoqëri dhe mjedis.
“Agents for Impact”, themeluar në vitin 2018, është një kompani investimesh e bazuar në Frankfurt, me qëllim rritjen e investimeve në tregjet në zhvillim, si dhe të kontribuojë në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.
Mikrofinanca duhet të jetë e qëndrueshme për të arritur në mënyrë efektive një numër më të madh individësh në nevojë. Qëndrueshmëria financiare është e rëndësishme për zgjerimin e shërbimeve të saj për një bazë të gjerë klientësh, duke përfshirë ata të papunë dhe start-up, pa u mbështetur në subvenzione të jashtme.
Prof. Asoc. Dr. Bajram Muçaj, Drejtor Ekzekutiv i Fondit BESA, theksoi: “Ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe besimin e Invest in Visions, çka ka ndihmuar në mbështetjen e Fondit BESA në përmbushjen e misionit të tij për rritjen ekonomike të vendit, në konsolidimin e aktivitetit të tij për financimin e bizneseve ekzistues dhe start-up, çka jep një kontribut të rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës dhe rrjedhimisht në reduktimin e varfërisë në zonat urbane dhe rurale të vendit. Mbështetja e Invest in Visions, është një tregues i qartë i besimit dhe bashkëpunimit mes dy institucioneve tona. Ne besojmë fuqimisht se partneriteti dhe bashkëpunimi jonë do të zhvillohet më tej në të ardhmen.”
