Vijon rritja graduale e fondeve të investimit, pas situatës së vështirë që kaloi tregu në vitin 2022, për shkak të rritjes së normave të interesat. Sipas të dhënave të fundit, të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, asetet e fondeve të investimit arritën në 55.8 miliardë Lekë, ose 565 milionë Euro, me një rritje prej 5.5 miliardë Lekë, ose 11%, krahasuar me fundvitin 2023.
Tendenca rritëse e aseteve vihet re edhe krahasuar me tre-mujorin e dytë të vitit, si edhe me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu, edhe numri i anëtarëve në këto fonde shënoi rritje të mëtejshme në 3-mujorin e tretë të vitit, duke arritur në 36 mijë anëtarë, ose 11.8% me shumë se fundi i vitit të kaluar.
Gjithashtu, tregu është zgjeruar me hyrjen e fondeve të reja, ku tashmë sipas të dhënave të AMF, në vend operojnë 6 shoqëri administruese, nga të cilat 4 me kapital vendas dhe 2 me kapital të huaj. Numri i fondeve të investimit në fund të shtatorit të këtij viti arriti në 17, nga të cilat 3 janë fonde investimi alternative.
Tregu i fondeve te investimeve me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike, u dominua kryesisht nga investimet në tituj qeveritarë, ndërkohë që investimet në tregjet financiare ndërkombëtarë përbëjnë vetëm 6% të totalit të investimeve.
Situata e stabilizuara financiare, si edhe tendenca rënëse e normave të intesit, ka sjellë rritje të investimeve të bëra nga fondet e investimit, të cilat arritën në 50.8 miliardë lekë në fund të 3-mujorit të tretë të vitit 2024, me një rritje prej 17.7% krahasuar me fundvitin 2023. /ekofin.al
