Në raportin për vendin tonë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ndalet gjatë edhe te rreziqet fiskale, dhe kryesisht te nevoja emergjente për t`i menaxhuar ato. Borxhi publik i vendit tonë nën skenarin bazë parashikohet të zbresë në 73.3% në vitin 2026. Por, në kushtet aktuale, duke llogaritur një balancë primare prej 4.5% të PBB në 2021, borxhi projektohet të rritet në horizontin afat-mesëm, për të kulmuar në 90% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2026. Sipas skenarit historik ndërkohë, nënvizon FMN, duke marrë parasysh rritjen ekonomike, balancën primare dhe normat reale të interesit gjatë 10 viteve të fundit, borxhi publik projektohet në 82% të PBB-së në vitin 2026.
Ndërkohë, alarmi numër një duket se vjen nga skemat e Partneritetit Publik Privat. “Rritja e shpejtë e stokut të PPP-ve, pritet të arrijë në 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2021, nga 33% që ishte në vitin 2018, çka kërkon një përpjekje të dyfishuar për të përforcuar menaxhimin e financave publike”,- nënvizon FMN mes rreshtave në raport. “Sfidat kyçe përfshijnë mungesën e transparencës mbi kostot, përfshirë kur PPP përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afat-mesëm”-thuhet më tej.
“Shqipëria duhet të bëjë përpjekje të përqendruara për të monitoruar më mirë dhe menaxhuar rritjen e rreziqeve fiskale. Rreziqet fiskale janë rritur dhe mungesa e të dhënave nga qeveria mbi ekspozimin ndaj tyre e bën të vështirë të vlerësohen dhe menaxhohen. Informacioni i kufizuar nga qeveria në lidhje me ekspozimin real ndaj PPP-ve është një sfidë kyçe”-thotë ndër të tjera Fondi Monetar Ndërkombëtar.