Shefja e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Anke Weber paralajmëroi se disa elementë të “Paqes Fiskale” mund të minojnë progresin e bërë në mbledhjen e të ardhurave.
“Lidhur me paqen fiskale, ne kemi parë draftin e fundit të Qeverisë. Vërejmë që Qeveria ka bërë përparim në forcimin e administrimit të të ardhurave, por disa elementë të propozimit mund të minojnë progresin e Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa risqe për drejtësinë”, deklaroi përfaqësuesja e FMN në Shqipëri, Anke Weber.
Ndërsa analizoi ecurinë e ekonomisë dhe financave shqiptare, Weber prezantoi rekomandimet e FMN-së për institucionet shqiptare.
Për vitin 2025, Weber tha se FMN parashikon një rritje reale të PBB-së në 3,5%, nxitur nga kërkesa e fuqishme e brendshme dhe sektori i fortë i turizmit.
Politikat e kujdesshme fiskale, sipas saj, kanë çuar në një ulje të jashtëzakonshme të borxhit publik gjatë viteve të fundit, ndërkohë që politika proaktive monetare ka ndihmuar që edhe inflacioni të ulet nën objektiv.
Nga ana tjetër Weber theksoi se sektori bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid dhe disbalancat e jashtme janë tkurrur në mënyrë të konsiderueshme.
Sipas shefes së FMN-së, “numri i papunësisë ka arritur nivele të ulëta historike”.
Por pavarësisht kësaj tabloje të favorshme, Weber nënvizoi se mbeten disa sfida.
“Trysnia fiskale, përfshi shpenzimet sociale dhe ato për mbrojtjen mund të gërryejnë hapësirat fiskale nëse nuk trajtohen”, tha ajo.
Në këtë drejtim, FMN rekomandon rritjen e të ardhurave relativisht të ulëta duke realizuar shpenzimet tatimore dhe duke çuar përpara reformat në taksën e pronës. Po ashtu, sipas saj, duhet forcuar administrimi i të ardhurave tatimore përmes teknologjisë së informacionit dhe përmirësimeve bazuar në të dhëna.
Sipas saj, këto duhet të vazhdojnë duke pasur reforma strukturore fiskale për të rritur cilësinë e shërbimeve dhe transparencën fiskale.
Duke folur mbi sektorin financiar, Weber u shpreh se “jemi të vetëdijshëm për rreziqet e reja që po dalin dhe që kërkojnë vëmendje nga afër”.
“Është parë në fakt një rritje e fortë në huadhënien bankare, pjesë që duhet të menaxhohet me kujdes. Bashkëpunimi mes institucioneve dhe një qeverisje e fortë do të mbeten thelbësore”, tha ajo.
Po ashtu, për të përmbushur angazhimin e qeverisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian në vitin 2030, Weber theksoi se duhen reforma gjithëpërfshirëse mbi kapitalin njerëzor, tregjet e punës, sundimin e ligjit dhe rregullat e biznesit.
“Ne mbetemi thellësisht të përkushtuar të mbështesim Shqipërinë në këtë rrugëtim. Ne do të vazhdojmë të punojmë me autoritetet për të nxitur stabilitetin makroekonomik dhe standarde më të larta jetese. Ndërkohë, FMN po shënon përparim dhe po ngre një qendër të re rajonale për ndihmë teknike për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë në 2027”, shtoi ajo.
Malaj: Rritja ekonomike 3,6% në gjashtëmujorin e parë, borxhi publik në rënie

Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me shefen e Misionit të FMN-së, Anke Weber, dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, njoftoi ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare dhe prioritetet fiskale për vitin 2026.
Malaj bëri të ditur se diskutimet me FMN për Kapitullin 4 të misionit kanë qenë intensive, duke nxjerrë përfundime të rëndësishme për politikat ekonomike dhe financiare të vendit.
Ai theksoi se reduktimi i borxhit publik mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë, ndërsa projektbuxheti 2026 do të jetë strategjik, me fokus në mbështetjen e pensioneve dhe investimeve publike.
Referuar statistikave zyrtare Malaj bëri të ditur se: rritja ekonomike në gjashtëmujorin e parë arriti 3,6%, ndërsa për vitin 2025 parashikohet të arrijë në 4%. Konsumi dhe investimet strategjike mbeten motorë të rritjes, me një rritje të investimeve të huaja prej 7%, kryesisht në sektorët e turizmit, pasurive të paluajtshme dhe energjetikës. Inflacioni vazhdon të jetë i qëndrueshëm, në 2,2%, ndërsa deficiti i jashtëm ka rënë në 5,4% të PBB-së, niveli më i ulët historik në disa dekada dhe rezervat valutore pritet të arrijnë 7 miliardë euro deri në vitin 2025.
Malaj theksoi gjithashtu rëndësinë e rekomandimeve të FMN, të cilat ofrojnë udhërrëfyes për menaxhimin e sfidave ekonomike, dhe vlerësoi efikasitetin e institucioneve shqiptare në minimizimin e rreziqeve dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik.
Ministri nënvizoi se turizmi mbetet një sektor kyç i eksporteve, me një rritje të të ardhurave prej 7,7%, duke kontribuar në bilancin e jashtëm të vendit. Projektbuxheti 2026 do të fokusohet në investime me peshë 6,5% të PBB-së dhe mbështetje për pensionet, duke siguruar rritje të qëndrueshme dhe ulje të borxhit publik.
Sejko: Ekonomia rritje të qëndrueshme në vijimësi, inflacion stabël
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën e përbashkët për shtyp me Shefen e Misionit të FMN-së, Anke Weber, dhe Ministrin e Financave, Petrit Malaj, i vlerësoi pozitive zhvillimet e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2025.
Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë rritje të qëndrueshme, me tregues të fortë në aktivitetin ekonomik, punësim dhe pagat në sektorin privat jobujqësor. Inflacioni ka mbetur i ulët, pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa presionet nga rritja e pagave dhe kostove të prodhimit janë neutralizuar nga forcat e tregut dhe kursi i këmbimit.
Guvernatori nënvizoi gjithashtu rolin e politikës monetare në kontrollin e inflacionit dhe mbështetjen e zgjerimit të konsumit dhe investimeve, si dhe rëndësinë e procesit të konsolidimit fiskal në uljen e deficitit dhe borxhit publik.
Sejko theksoi avancimin e tregjeve financiare dhe anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, duke ulur kostot e transaksioneve me partnerët ndërkombëtarë dhe duke favorizuar integrimin në Bashkimin Evropian.
Parashikimet e Bankës së Shqipërisë për vitet e ardhshme mbeten pozitive, me rritje ekonomike të qëndrueshme dhe inflacion të stabilizuar rreth nivelit 3%, duke krijuar hapësira për politika makroekonomike të balancuara dhe për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare dhe sistemit bankar.
Sejko siguroi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit të çmimeve, rregullimit dhe mbikëqyrjes së tregut financiar, si dhe mbështetjes së reformave strukturore për një rritje më të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse ekonomike.

