Rreth 70% e eksporteve shqiptare të mallrave shkojnë drejt Bashkimit Evropian, duke e bërë Shqipërinë një nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor më të lidhura me tregun evropian. Por lidhja është shumë më e dobët në sektorin bankar: vetëm rreth 40% e aktiveve të sistemit bankar shqiptar kontrollohen nga banka me seli në BE, niveli më i ulët ndër gjashtë ekonomitë e rajonit, sipas një studimi të ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Të dhënat e FMN-së për gjurmën ekonomike të BE-së në Ballkanin Perëndimor tregojnë se Shqipëria është në grupin e vendeve ku tregu evropian dominon eksportet. Pjesa e eksporteve drejt BE-së është rreth 78% në Maqedoninë e Veriut, 71% në Bosnjë-Hercegovinë, 70% në Shqipëri dhe 67% në Serbi. Mali i Zi dhe Kosova kanë një varësi dukshëm më të ulët direkte nga BE-ja për eksportet e mallrave, përkatësisht rreth 36% dhe 32%.
Edhe te investimet e huaja direkte, BE-ja ka një peshë të madhe në Shqipëri, por vendi nuk është në krye të rajonit. Rreth 52% e stokut të investimeve të huaja direkte në Shqipëri vjen nga BE-ja. Përqindja arrin rreth 65% në Maqedoninë e Veriut, 61% në Serbi dhe 60% në Bosnjë-Hercegovinë, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi janë poshtë Shqipërisë, përkatësisht rreth 40% dhe 38%.
Kontrasti më i madh shfaqet në sistemin financiar. Bankat me seli në BE zotërojnë rreth 70% të aktiveve bankare në Serbi, 68% në Bosnjë-Hercegovinë dhe 65% në Maqedoninë e Veriut. Pesha zbret në rreth 58% në Malin e Zi, 51% në Kosovë dhe vetëm 40% në Shqipëri. FMN sqaron se këto të dhëna për bankat janë orientuese dhe bazohen në pronësinë e grupeve kryesore bankare që operojnë në secilin vend.

Të dhënat evidentojnë një strukturë të veçantë të integrimit ekonomik shqiptar: varësi shumë të lartë të eksporteve nga tregu i BE-së, një lidhje të konsiderueshme përmes investimeve, por një prani relativisht më të kufizuar të kapitalit bankar të BE-së, krahasuar me fqinjët.
Kjo lidhje e fortë tregtare e bën Shqipërinë veçanërisht të ndjeshme ndaj çdo uljeje ose rritjeje të kostove të hyrjes në tregun europian. Dokumenti i FMN-së argumenton se, megjithëse ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë prej kohësh të lidhura ngushtë me BE-në, pengesat në tregti, dogana, logjistikë dhe shërbime vazhdojnë të kufizojnë integrimin. /ekofin.al
