Shqipëria ka patur një sezon turistik veror me rritje të mëtejshme dhe këtë e konfirmojnë edhe shifrat më të fundit për korrikun, të publikuara sot nga Instituti i Statistikave. Sipas këtyre shifrave, strukturat akomoduese në vend shënuan një rritje të ndjeshme të vizitorëve dhe net qëndrimeve, duke konfirmuar trendin pozitiv të turizmit në vitet e fundit.
Vizitorët gjithsej u rritën me 34,6 % krahasuar me korrikun e vitit 2024, ndërkohë që rritjen më të fortë e kishin turistët, me 45,3 %. Rritje e fortë u shënua në korrik edhe sa i përket net qëndrimeve, të cilat u rritën gjithsej me me 33,5 %. Edhe këtu rritja më e fortë u vërejt te kategoria e vizitorëve të huaj me 44,4%, ndërsa rezidentët u rritën me 9,8 %.

Një nga faktorët kryesorë të këtij trendi është rritja e fuqishme e turizmit të huaj në zonat bregdetare, ku numri i vizitorëve jo-rezidentë u rrit me 50,3 %, kjo edhe për shkak se korriku dhe gushti vlerësohen si muajt ku kulmon sezoni turistik veror.
Nga cilat shtete vijnë turistët?
Sipas të dhënave zyrtare, vizitorët e huaj që u akomoduan në strukturat pritëse shqiptare në korrik 2025 vinin kryesisht nga Kosova – 21 %, Polonia – 11 %, Italia – 10 %, Gjermania – 7 %, Franca – 6 % dhe kategoria të tjerë në masën 45 %.
Ky shpërndarje tregon jo vetëm forcimin e tregut tradicional të Kosovës, por edhe zgjerimin e turizmit nga Evropa Qendrore e Perëndimore, me Poloninë që po shfaqet si një treg gjithnjë e më i rëndësishëm.
Shfrytëzimi i hoteleve dhe rajonet më të vizituara
• Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 52,9 %, nga 49,3 % një vit më parë.
• Rritja u ndje në të gjitha rajonet:
• Veriu: +78% vizitorë jo-rezidentë (nga 88 mijë në 157 mijë).
• Qendra: rritje më e moderuar, por gjithsesi pozitive.
• Jugu: destinacioni më i preferuar, me rritje prej +60 % të vizitorëve të huaj (nga 114 mijë në 183 mijë).
Në aspektin e strukturave akomoduese, hotelet dhe akomodimet e ngjashme mbeten më të përdorurat, me mbi 476 mijë vizitorë të huaj, por gjithashtu po shihet rritje e dukshme në akomodimet për pushime (+120 %) dhe në kampingje e parqe turistike.
Një sezon që shënon rritje të mëtejshme
Korriku i këtij viti i konfirmon pritshmëritë e larta për turizmin shqiptar. Rritja e vizitorëve të huaj dhe zgjerimi i tregjeve të reja dëshmojnë se Shqipëria po kthehet në një destinacion të rëndësishëm mesdhetar, jo vetëm për rajonin, por edhe për Evropën.
Ky zhvillim pritet të japë ndikim të ndjeshëm ekonomik, si në sektorin e shërbimeve dhe punësimit, ashtu edhe në imazhin ndërkombëtar të vendit si një destinacion turistik në rritje. /ekofin.al
