Procesi i fiskalizimit duket se po ecën me sukses, pasi 101 938 tatimpagues janë pajisur me certifikatë, ndërsa janë lëshuar 351 milionë fatura të fiskalizuara.
Përmes rrjeteve sociale Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bën të ditur se i gjithë biznesi i madh dhe 87.8 % e biznesit të vogël janë pajisur me certifikatë fiskalizimi.
“Besuam fort te Reforma madhore e Fiskalizimit, që ka si qëllim mbledhjen e drejtë të taksave, reduktimin e evazionit fiskal, si dhe rritjen e të ardhurave. Shifrat tregojnë se po shkojmë drejt finalizimit me sukses të saj”, shprehet Ibrahimaj.
Për të parë efektet e fiskalizimit, ministria analizoi ecurinë e qarkullimit në 6 mujorin e dytë të vitit 2021 duke e krahasuar atë me ecurinë e 6 mujorit të dytë të vitit 2020 dhe atë të vitit 2019. Sipas MFE-së, shifrat paraqesin një rritje me 13% në krahasim me 2019 dhe 22% në krahasim me 2020.
Sipas analizave të kryera nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, 3-4 % e kësaj rritjeje vjen si efekt i reformës së fiskalizimit dhe të miradministrimit fiskal.
Qeveria shtyu deri më 30 qershor afatin për aplikimin e penaliteteve për një kategori biznesesh që nuk janë përfshirë ende në procesin e Fiskalizimit.
Më 1 janar 2021 nisi faza e parë e zbatimit të reformës së Fiskalizimit, që konsistonte në transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike (B2G); më 1 korrik 2021 nisi faza e dytë për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve (B2B); më 1 shtator nisi faza e tretë për transaksionet me para në dorë tatimpagues-konsumator (B2C).
Procesi i Fiskalizimit ka nisur prej 1 janarit të këtij viti dhe numri në total i subjekteve që duhet të fiskalizohet llogaritet rreth 120,000 tatimpagues.