Në gjysmën e parë të vitit 2025, startup-et e inteligjencës artificiale (AI) kanë siguruar shuma marramendëse investimesh, duke reflektuar besimin në rritje në potencialin transformues të kësaj teknologjie.
Të dhënat paraqesin marrëveshjet më të mëdha të financimit për AI të vitit 2025 deri më 8 korrik. Renditja tregon cilat kompani kanë marrë më shumë kapital dhe cilët investitorë po formësojnë valën e ardhshme të inovacionit në fushën e AI.
Të dhënat janë përpiluar nga BestBrokers.com dhe përfshijnë 10 marrëveshjet më të mëdha të financimit për AI në vitin 2025, së bashku me vlerësimet e kompanive dhe investitorët kryesorë.

OpenAI vazhdon të kryesojë
Në krye të listës qëndron OpenAI me një raund gjigant financimi prej 40 miliardë dollarësh, që e çon vlerësimin e saj në 300 miliardë dollarë.
Raundi u mbështet nga emra si Microsoft dhe SoftBank, por përmban një kusht të rëndësishëm: OpenAI duhet të kalojë nga struktura aktuale hibride jofitimprurëse në një entitet plotësisht fitimprurës dhe të pavarur deri më 31 dhjetor 2025.
Menjëherë pas njoftimit të marrëveshjes, OpenAI bëri të ditur se do të mbetet nën kontrollin e organizatës jofitimprurëse mëmë, ndërsa do të ristrukturojë degën e saj fitimprurëse për të tërhequr më shumë kapital. Investitori kryesor, SoftBank, ka deklaruar se do të ulë kontributin nga 30 miliardë në 20 miliardë dollarë nëse tranzicioni nuk përfundon sipas afatit.
Zgjerimi strategjik i Scale AI me Meta
Në qershor 2025, Meta investoi 14.3 miliardë dollarë në Scale AI, duke fituar një pjesëmarrje jo-votuese prej 49% dhe duke rritur vlerësimin e kompanisë në 29 miliardë dollarë.
Marrëveshja përfshin gjithashtu një lëvizje strategjike: CEO i Scale, Alexandr Wang, do të kalojë tek Meta për të bashkëdrejtuar Superintelligence Lab – një njësi e re e krijuar për të qendruar zhvillimin e AI-së brenda kompanisë.
Startup-e të specializuara tërheqin miliarda
Edhe startup-e më pak të njohura, si Infinite Reality dhe Safe Superintelligence, kanë siguruar raunde financimi me vlera prej miliarda dollarësh.
Infinite Reality ka grumbulluar 3 miliardë dollarë deri më tani këtë vit, duke përfituar nga kërkesa në rritje për përvoja zhytëse. Kompania ndërton mjedise virtuale që ndërthurin argëtimin, tregtinë elektronike dhe ndërveprimin social – duke synuar markat dhe krijuesit që duan të angazhojnë audiencën në hapësira digjitale novatore.
Ndërkohë, Safe Superintelligence, e themeluar nga ish-kërkues të OpenAI, fokusohet në përputhshmërinë dhe sigurinë afatgjatë të AI-së. Misioni i saj është i qartë: të ndërtojë një superinteligjencë që është e sigurt që në thelb./Përshtati nga Visual Capitalist, ekofin.al
