Fibank ofron një produkt kredie hipotekore për individët që synojnë të blejnë, ndërtojnë apo rindërtojnë një pronë, me financim deri në 85% të vlerës së tregut të pasurisë së vendosur si kolateral dhe afat shlyerjeje deri në 30 vjet. Kredia “5 Yje” ofrohet në lekë dhe euro, me norma interesi fikse për periudha fillestare nga një deri në pesë vjet, ndërsa një nga veçoritë e saj është mungesa e detyrimit për sigurimin e jetës së kredimarrësit.
Në një treg ku çmimet e pasurive të paluajtshme kanë rritur nevojën për financim bankar, Fibank ofron përmes produktit “Kredi Hipotekore 5 Yje” mundësinë e financimit të blerjes së banesave, ndërtimit, rindërtimit, si edhe investimeve në pasuri të paluajtshme.
Produkti parashikon financim deri në 85% të vlerës së tregut të pronës që vendoset si garanci, duke bërë të mundur që klientët të mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të investimit përmes kredisë bankare.
Për shembull, për një pronë me vlerë 100 mijë euro, financimi mund të arrijë deri në 85 mijë euro, nëse plotësohen kushtet e bankës dhe vlerësimi i kolateralit e mbështet këtë shumë. Pjesa tjetër duhet të mbulohet nga burimet e vetë blerësit.
Një tjetër element i produktit është se nuk përcaktohet një kufi maksimal nominal për shumën e kredisë. Megjithatë, financimi mbetet i kushtëzuar nga vlera e kolateralit, aftësia paguese e klientit dhe kriteret e miratimit të bankës.
Pa sigurim të detyrueshëm të jetës dhe me afat deri në 30 vjet
Një nga karakteristikat e këtij produkti të Fibank është fakti se sigurimi i jetës nuk është i detyrueshëm për përfitimin e kredisë hipotekore.
Kjo mund të përbëjë një lehtësi për kredimarrësit, duke shmangur një shpenzim që mund të shoqërojë kreditë afatgjata në rastet kur bankat e kërkojnë këtë sigurim.
Për blerjen, ndërtimin apo rindërtimin e pronave për banim, afati maksimal i kredisë arrin në 30 vjet. Ndërsa për pasuritë e paluajtshme që blihen për qëllime investimi, maturiteti maksimal është 25 vjet.
Shlyerja realizohet përmes kësteve mujore të barabarta, sipas kushteve të kontratës dhe normës së interesit që zbatohet në periudhat përkatëse.
Një tjetër fleksibilitet është mundësia që prona e vendosur si kolateral të jetë e ndryshme nga pasuria që financohet.
Interesat për kreditë në euro nisin nga 1.99%, ndërsa në lekë nga 2.99%
Për kreditë që përdoren për blerje, ndërtim apo rindërtim të banesave, Fibank ofron tri alternativa të normës fikse të interesit, në varësi të periudhës së zgjedhur. Ato nisin nga 1.99% në euro dhe 2.99% në lekë.
Pas përfundimit të periudhës fikse, norma e interesit bëhet e ndryshueshme.
Për kreditë në euro, ajo llogaritet mbi bazën e Euribor 12-mujor plus 2.49 pikë përqindjeje, ndërsa për kreditë në lekë, norma përcaktohet mbi bazën e yield-it të bonove të thesarit 12-mujore plus 1.99 pikë përqindjeje.
Kredi për prona për qëllime investimi
Fibank e ofron produktin edhe për financimin e pasurive të paluajtshme me qëllim investimi, duke përfshirë prona që mund të përdoren për aktivitet ekonomik apo të gjenerojnë të ardhura.
Për këtë kategori, normat fillestare janë më të larta se ato të kredive për banim.
Në këtë rast norma fikse për kredinë në euro nis me 2.5%, ndërsa pér kredinë në lek nga 3.5%.
Kush mund të aplikojë?
Produkti u drejtohet shtetasve shqiptarë që janë të punësuar ose të vetëpunësuar, ku për kategorinë e të vetëpunësuarve përmendet kufiri i qarkullimit vjetor deri në 14 milionë lekë.
Aplikantët duhet të dokumentojnë të ardhurat e tyre, detyrimet ekzistuese bankare dhe dokumentacionin ligjor të pasurisë që do të përdoret si kolateral.
Banka kryen vlerësimin e aftësisë paguese të klientit dhe inspektimin e pronës përpara miratimit të financimit.
Një alternativë në tregun e financimit të banesave
Kredia hipotekore “5 Yje” e Fibank kombinon financimin deri në 85% të vlerës së kolateralit, afatin deri në 30 vjet dhe mundësinë e zgjedhjes së interesit fiks për një, dy ose pesë vite.
Mungesa e detyrimit për sigurimin e jetës dhe mundësia e përdorimit të një prone tjetër si kolateral janë dy elemente që mund të ndikojnë në zgjedhjen e produktit nga klientët.
