Fibank Albania po vijon me hapa konkretë strategjinë e zgjerimit të pranisë së saj në tregun bankar shqiptar, duke hapur dy degë të reja — në Kamëz dhe Kavajë. Përmes dy inaugurimeve gjatë muajit tetor, banka forcon misionin e saj për t’u afruar gjithnjë e më shumë me qytetarët dhe bizneset, duke ofruar shërbime moderne, të shpejta dhe të sigurta.
Ceremonia e inaugurimit të degës në Kamëz u zhvillua në fillim të këtij muaji, në prani të drejtuesve të lartë të Fibank Albania, partnerëve dhe përfaqësuesve të komunitetit lokal. Mesazhet e përcjella nga CEO i Fibank Albania, Bozhidar Todorov, pasqyrojnë orientimin e bankës për rritje të qëndrueshme dhe shërbim sa më cilësor për qytetarët dhe bizneset.
“Kjo degë e re në Kamëz shënon një hap tjetër të rëndësishëm në rritjen tonë të vazhdueshme dhe angazhimin ndaj tregut shqiptar. Fibank ka synuar gjithmonë të jetë pranë njerëzve me shërbimet më të mira bankare dhe sot ne po i sjellim shërbimet tona edhe më afër këtij komuniteti plot gjallëri. Ndryshimet gjatë dekadës së fundit në Kamëz janë ndër më mbresëlënëset në Shqipëri. Kur vendosëm të hapim disa degë të reja, Kamza ishte zgjedhja e parë, pa asnjë hezitim. Jemi të bindur se kjo degë do të luajë një rol të rëndësishëm në suksesin e bankës,” u shpreh CEO i Fibank.
Dega e re ofron një gamë të plotë produktesh dhe shërbimesh bankare — nga llogaritë rrjedhëse e kreditë për individë dhe biznese, deri te zgjidhjet elektronike të avancuara. Ajo ofron një ambient modern dhe staf profesionist, të përgatitur për t’u përgjigjur nevojave të çdo klienti.
Në të njëjtën linjë, hapja e degës së re në Kavajë përfaqëson një tjetër hap strategjik për Fibank Albania, që zgjeron rrjetin e saj në qytetet kryesore të vendit. Dega në Kavajë sjell shërbime të plota bankare për individë dhe biznese, duke vënë theksin te efikasiteti, siguria dhe kujdesi ndaj klientit.
Ky zgjerim territorial shkon paralelisht me zhvillimet teknologjike dhe inovacionin digjital që banka ka ndërmarrë vitet e fundit. Për Fibank Albania, prania fizike në komunitete mbetet po aq e rëndësishme sa edhe ofrimi i shërbimeve online — një kombinim që garanton akses më të gjerë, besueshmëri më të lartë dhe një eksperiencë bankare të plotë për çdo klient.
Me degët e reja në Kamëz dhe Kavajë, Fibank Albania konsolidon pozicionin e saj si një bankë dinamike, e orientuar drejt rritjes, inovacionit dhe mbështetjes së zhvillimit ekonomik të komuniteteve lokale. Banka do të vijojë me politikat e zgjerimit me hapjen e degëve të reja në qytetet më të mëdha të vendit, si edhe me rinovimin e atyre ekzistuese për të ofruar shërbim dhe përvojë që i përgjigjet më së miri kërkesave dhe pritshmërive në rritje të klientëve.





