Totali i aktiveve të grupit të SHKK-ve, në fund të vitit 2024, arrin në 16.21 miliardë lekë, me një rritje prej 1.1 mld lekësh ose 7.3% krahasuar me fundin e vitit 2023. Ndikimi kryesor vjen nga rritja e aktiveve të SHKK-ve të mëdha (Fed Invest, Alb-Progres dhe Alb Credit).
Referuar të dhënat e publikuara në Raportin e Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë, numri i shoqërive të kursim-kreditit (SHKK) dhe unioneve të tyre nuk paraqet ndryshime gjatë vitit 2024. Në këtë grup subjektesh bëjnë pjesë 16 SHKK dhe 1 Union, nga të cilat vetëm 9 SHKK janë përfshirë në skemën e sigurimit të depozitave. Unioni Shqiptar Kursim-Kredi (USHKK) është unioni i vetëm që vijon të jetë i licencuar, por ai nuk kryen veprimtari.
Struktura e aktivit të grupit të SHKK-ve vijon të jetë e orientuar drejt huadhënies ndaj anëtarëve (78%) dhe mjeteve likuide (18%). Peshën më të madhe në totalin e aktiveve të SHKK-ve e zënë Fed Invest me 52.5%, Alb-Progress me 14.7%, Alb Credit me 10.6% dhe UniFin me 9.4%.
Në dhjetor 2024, portofoli i kredisë bruto për grupin e SHKK-ve arrin në 13 miliardë lekë, me një rritje prej 1 miliardë lekësh ose 9%, krahasuar me vitin e mëparshëm. Kontributin më të lartë në këtë rritje e kanë dhënë SHKK-të Fed Invest, UniFin dhe Alb Credit.
Po në këtë periudhë, treguesi i kredive me probleme për SHKK-të paraqitet në nivelin 4.8%, me një rritje të lehtë prej 0.14%, krahasuar me vitin paraardhës. Fitimet e shoqërive të kursim-kreditit për vitin e kaluar arritën në 160.6 milionë lekë, në rënie krahasuar me vitin 2023, si rrjedhojë e rritjes së shpenzimeve për provigjionet e kredisë. /ekofin.al
