199 milionë euro ka shkuar kostoja e faturave të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut dhe i Arbitrazhit Ndërkombëtar deri në shtator të vitit 2024, duke llogaritur edhe kontigjencat.
Vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) janë kryesisht çështje dhe vendime që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave tek ish-pronarët.
Sipas Avokaturës së Shtetit, risqet financiare që burojnë nga vendimet e GJEDNJ-së janë të kushtëzuara nga një aftësi e dobët parashikuese, për sa kohë që kjo Gjykatë nuk funksionon me një kalendar të përcaktuar për komunikimin e çështjeve dhe nxjerrjen e vendimeve.
Sidoqoftë, për garantimin e shlyerjes në kohë të këtyre vendimeve, Ministria e Financave ka rekomanduar vazhdimisht përdorimin e të gjitha kanaleve të mundshme institucionale dhe procedurale, brenda hapësirave që siguron kuadri ligjor në fuqi, duke sugjeruar sipas mundësive të buxhetit të shtetit skedulimin me këste të detyrimit financiar, në negocim me përfituesit.
Edhe për vitin 2024, likuidimi i detyrimeve të këtij lloji përballohet nga Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit. Përjashtimisht, për detyrimet financiare deri në 10.000 (dhjetë mijë) euro, pagesa ekzekutohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ministria përgjegjëse për financat, pas njoftimit nga Avokatura e Shtetit.

Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit kanë të bëjnë me zgjidhjen e konflikteve në mosmarrëveshjet dy – ose shumëpalëshe, në ngarkim të shtetit shqiptar. Duke pasur parasysh efektet e qenësishme financiare që rëndom shoqërojnë këto vendime, ato vlerësohen me risk të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit.
Në pjesën më të madhe, efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtyre vendimeve janë përballuar nga buxheti i vetë institucioneve buxhetore (kryesisht ministri linje), të cilat kanë qenë edhe palë e paditur në gjykimet respektive. Ndërkohë që, në rastet kur palë e paditur cilësohet ‘shteti shqiptar’ apo ‘qeveria shqiptare’, këto vendime likujdohen përmes buxhetit të MF dhe/ose fondit rezervë të buxhetit të shtetit, nëse lind nevoja. /ekofin.al



