Shqipëria ka në ngarkim një barrë të rëndë financiare që buron nga çështje të arbitrazhit ndërkombëtar, me detyrime të faturuara, të papaguara dhe potencialisht të reja që arrijnë një total prej rreth 179.9 milionë euro në fund të vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.
Krahasuar me fundvitin 2023, fatura totale e detyrimeve të arbitrazhit ka zbritur me 1.8%, ndërkohë që vitin e kaluar në zërat e shpenzimeve është shtuar edhe një faturë e re, ajo e kostove administrative në çështjen EMS Shipping and Trading GMBH kundër Shqipërisë, duke e çuar në 18 numrin e faturave potenciale të arbitrazhit për t’u paguar.
Fatura kryesore, e mbartur prej disa vitesh është ajo me vlerën më të madhe, prej 108 milionë eurosh, që ka mbetur e pandryshuar dhe e papaguar në investarin e Financave edhe për vitin 2024, e njohur si çështja Becchetti kundër Shqipërisë.
Sipas një pasqyre të detajuar për vitin 2025, totali i detyrimeve potenciale fillestare të vendosura nga vendime arbitrazhi arrin në 206.8 milionë euro, nga të cilat rreth 79.5 milionë euro janë tashmë të faturuara, ndërsa janë paguar vetëm 23.4 milionë euro. Nga këto pagesa, gati 4.9 milionë euro janë kryer gjatë vitit 2024.
Përtej detyrimeve ekzistuese të faturuara, llogariten edhe 110.5 milionë euro të tjera në formën e detyrimeve kontingjente, të cilat do të bëhen efektive në rast se humben arbitrazhet që janë aktualisht në proces.
Institucioni më i rrezikuar financiarisht është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Alpetrol sh.a., që përfaqësojnë mbi 82.6 milionë euro në detyrime të mundshme. Po ashtu, Autoriteti Portual Durrës ka pasur një nga pagesat më të mëdha reale deri më sot, duke likuiduar mbi 15.4 milionë euro në një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit kanë të bëjnë me vendimet e formës së prerë për zgjidhjen e konflikteve në mosmarrëveshjet dy/shumëpalëshe, në ngarkim të shtetit shqiptar.
Duke patur parasysh efektet e qenësishme financiare që rëndom shoqërojnë këto vendime, ato vlerësohen me risk të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit. Në pjesën më të madhe, efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtyre vendimeve janë përballuar nga buxheti i vetë institucioneve buxhetore (kryesisht ministri linje) dhe nga buxheti i ndërmarrjeve publike, të cilat kanë qenë edhe palë e paditur në gjykimet respektive.
Ndërkohë që, në rastet kur palë e paditur cilësohet ‘shteti shqiptar’ apo ‘qeveria shqiptare’, këto vendime likuidohen përmes buxhetit të Ministrisë së Financave dhe/ose Fondit Rezervë të buxhetit të shtetit, nëse lind nevoja. /ekofin.al

