Facebook lajmëroi se do mbyllë sistemin e njohjes së fytyrës, që identifikon automatikisht përdoruesit në foto dhe video, duke përmendur rritje të shqetësimeve në shoqëri mbi përdorimin e kësaj teknologjie. “Rregullatorët ndodhen ende në procesin e ofrimit të rregullave të reja në lidhje me përdorimin. Në një kohë të kësaj pasigurie, limiti i përdorimit të njohjes së fytyrës është i përshtatshëm”- tha Jerome Pesenti, zv/presidenti i inteligjencës artificiale tek Facebook.
Heqja e njohjes së fytyrës nga platforma më e madhe në botë e mediave sociale vjen ndërkohë që industria e teknologjisë është përballur me kritika në vitet e fundit mbi etikën e përdorimit të teknologjisë. Kritikët thonë se teknologjia e njohjes së fytyrës, që është popullore tek shitësit me pakicë, spitalet dhe biznese të tjera për arsye të sigurisë, mund të cënojë privatësinë, shënjestrojë grupe të caktuara dhe normalizojë mbikqyrjen ndërhyrëse në privatësi.
IBM ka përfunduar në mënyrë të përhershme shitjen e produkteve të njohjes së fytyrës dhe Microsoft e amazon kanë pezulluar shitjet gjithashtu. Lajmi vjen gjithashtu në një kohë kur Facebook është përballur me mbikqyrje të rreptë nga rregullatorët dhe politikanët mbi sigurinë e përdoruesit dhe një serë abuzimesh tek platforma.
Kompania, që ndryshoi emrin në Meta javën e kaluar, bëri të ditur se mbi 1/3 e përdoruesve ditorë të Facebook kanë zgjedhur opsionin e njohjes së fytyrës dhe ndryshimet do të fshijnë tashmë “kornizat e njohjes së fytyrës” të mbi 1 miliardë njerëzve. Heqja do nisë në nivel global dhe pritet të përfundojë nga Dhjetori, sipas Facebook. Mbrojtësit e privatësisë dhe grupet e të drejtave dixhitale e mirëpritën lëvizjen.