Ndërsa vera po afrohet dhe turistët kërkojnë gjithnjë e më shumë alternativa larg destinacioneve të mbipopulluara, media britanike Express e ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve që duhen zbuluar këtë sezon. Artikulli ndalet te destinacione europiane që ofrojnë qetësi dhe bukuri natyrore, larg rrëmujës së zakonshme të plazheve të njohura.
Vëmendja përqendrohet te bregdeti shqiptar, ku veçohen Ksamili dhe Porto Palermo. Ksamili përshkruhet si një ndër zonat më të bukura, me ujëra turkuaz dhe rërë të bardhë, shpesh i krahasuar me “Maldivet e Europës”.
Edhe pse po fiton popullaritet, theksohet se zona ruan ende hapësira më pak të frekuentuara.
Për ata që kërkojnë një eksperiencë edhe më të qetë, sugjerohet Porto Palermo, i njohur për gadishullin karakteristik dhe kështjellën historike të Ali Pashës.
Zona vlerësohet për atmosferën e saj të qetë dhe faktin që nuk është prekur ende nga turizmi masiv.
Shqipëria renditet në këtë listë krahas destinacioneve si La Gomera në Ishujt Kanarie dhe rajoni i Alentejos në Portugali, si një alternativë për pushime verore më të relaksuara.
Artikulli nënvizon një trend në rritje, ku turistët po largohen nga “hotspotet” tradicionale dhe po kërkojnë destinacione më autentike, një hapësirë ku bregdeti shqiptar po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje.

