Komisioni Europian propozoi një rekomandim të Këshillit që nxit kontrolle të rregullta të tensionit të gjakut, kolesterolit dhe sheqerit në gjak, me fokus të veçantë te personat me rrezik më të lartë.
Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në BE, duke marrë rreth 1.7 milionë jetë në vit dhe duke i kushtuar ekonomisë më shumë se 282 miliardë euro. Sipas Komisionit, deri në 80% e rasteve mund të parandalohen duke trajtuar faktorët e rrezikut, përfshirë hipertensionin, obezitetin dhe kolesterolin e lartë.
“Një shumicë shumë e madhe e sëmundjeve të parakohshme kardiovaskulare mund të shmangen nëse i identifikojmë rreziqet më herët dhe nëse veprojmë më herët”, tha Komisioneri për Shëndetësinë, Olivér Várhelyi, gjatë konferencës për shtyp të së hënës.
Kontrollet janë thelbësore për zbulimin në kohë të sëmundjeve.
Sipas Komisionit, më pak se gjysma e vendeve të BE-së kanë aktualisht programe kontrolli për shëndetin kardiovaskular, ndërsa ka dallime të ndjeshme në mënyrën se si funksionojnë ato.
Propozimi është pjesë e planit të Komisionit “Safe Hearts”, të prezantuar në dhjetor 2025, i cili synon të ulë me 25% vdekjet e parakohshme nga sëmundjet kardiovaskulare deri në vitin 2035. Plani kërkon zgjerimin e aksesit në kontrolle, masa të synuara për grupet vulnerabël dhe përdorim më të madh të mjeteve digjitale dhe të inteligjencës artificiale, nën mbikëqyrjen e njeriut.
Në kuadër të Javës Evropiane të Kontrollit Shëndetësor, organizatat e shëndetësisë kanë ngritur pika kontrolli në vende të ndryshme të Europës, falas dhe të hapura për të gjithë.
“Kjo nismë shpresojmë se mund të ndihmojë në uljen e pabarazive”, tha për Euronews Health Sophie Millar, menaxhere e politikave dhe advokimit në Shoqatën Evropiane të Kardiologjisë.
Ajo shtoi se, ndërsa në Bruksel, pranë institucioneve të Komisionit, njerëzit mund të jenë më të prirur të njohin treguesit e tyre shëndetësorë, aktivitetet synojnë edhe komunitete që arrihen më me vështirësi.
Këtu përfshihen “grupet më vulnerabël, të cilat në fakt kanë nevojën më të madhe të njohin vlerat e tyre dhe të bëjnë analizat”.
Sheqeri në gjak është një nga tre treguesit që po kontrollohen, pasi diabeti shpesh mbetet i pazbuluar. Federata Ndërkombëtare e Diabetit vlerëson se në Evropë një në katër persona që jetojnë me diabet nuk është diagnostikuar.
Diabeti nuk është vetëm një sëmundje më vete, por edhe faktor rreziku për shumë sëmundje të tjera, ndaj marrja në kohë e masave të nevojshme është thelbësore.
“Diabeti është një nga shkaqet kryesore të shumë sëmundjeve të tjera jo të transmetueshme, si sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe sëmundjet e veshkave”, tha Maxence Prizzi, koordinator për politikat dhe advokimin në Federatën Ndërkombëtare të Diabetit për Evropën.
“Parandalimi parësor nis me kontrolle të thjeshta shëndetësore… gjithçka nis me njohjen e të dhënave dhe treguesve të shëndetit tuaj dhe kjo mund të shpëtojë jetë”, shtoi ai.
Rëndësia e kontrolleve të rregullta
Kontrollet e rregullta janë të rëndësishme edhe për personat e shëndetshëm, edhe kur nuk ka asnjë shenjë që tregon një problem.
“Në një moshë të caktuar, të gjithë duhet të dinë nivelet e glicemisë, lipideve dhe kolesterolit, për të kuptuar nëse janë brenda normave apo jo”, tha Grace Bayams, një nga infermieret që kreu kontrolle në Bruksel.
Në varësi të rezultateve, shtoi ajo, mjekët mund të rekomandojnë regjime ose trajtime të ndryshme për t’i mbajtur pacientët brenda niveleve normale.
Angelos ishte një nga personat që u ndal për të bërë kontrollet. Për të, kjo ishte një mundësi për të kompensuar faktin se nuk kishte shkuar te mjeku aq shpesh sa do të dëshironte.
“Kjo ishte ndoshta një mundësi për t’u bërë pak më praktik dhe për të filluar të shkoj rregullisht”, tha ai, duke shtuar se kërkonte këshillim për nivelin e glukozës në gjak.
Të tjerë u ndalën thjesht nga kureshtja. Mes tyre ishte Jack Smith, i cili po vizitonte Brukselin dhe e hasi rastësisht pikën e kontrollit.
“Pashë çfarë po ndodhte dhe mendova se do të ishte interesante, sepse mendoj se jam i shëndetshëm, por nuk kam shkuar te mjeku për të kontrolluar sa mirë jam realisht, ndaj erdha këtu”, tha ai për Euronews Health.
Smith punon si mjek në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor në Angli dhe theksoi rëndësinë e përqendrimit te parandalimi për të luftuar sëmundjet afatgjata.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi, në mënyrë që njerëzit të dinë se ka gjëra që mund të bëjnë për të parandaluar sëmundjet dhe për të jetuar një jetë më të shëndetshme dhe më të lumtur”, shtoi ai./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
