Bazuar në investigimet e kryera nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe indiciet e mbledhura prej ekspertëve të tatimeve, Prokuroria e Tiranës, njofton se ka goditur një rast evazioni fiskale, duke shpallur në kërkim administratorin e subjektit “Buzi Sport”, Oltion Buzi, i cili akuzohet se nuk ka deklaruar të ardhura në vlerën e 3.7 milionë eurove.
Buzi Sport është një kompani e krijuar që në vitin 2017, me seli qëndrore në Durrës, por që aktualisht operon përmes tregtisë online në shitjen e produkteve të ndryshme të importuara. Referuar të dhënave në QKB, sidomos në vitet e fundit, xhiroja e kompanisë është rritur ndjeshëm.
Prokuroria njofton se në kuadër të hetimit të procedimit penal nr. 8744, të vitit 2024, pas një pune hetimore disa mujore, Drejtoria e Hetimit Tatimor në bashkëpunim me specialistët e prokurorisë arritën të zbulojnë skemën e evazionit fiskal të shkallës së gjerë nga subjekti tregtar ‘Buzi Sport’, si dhe ekzekutuan vendimin e gjykatës për kontrollin e vendeve të ushtrimit të aktivitetit nga ky subjekt.
Gjatë hetimit, u ushtruan kontrolle në 8 adresa të lidhura me subjektin ‘Buzi Sport’ dhe shoqërinë e fiskalizimit, ku u sekuestruan provat materiale që përfshijnë njësi kompjuterike, telefona celularë, tableta dhe vlera monetare në valuta të ndryshme që arrijnë në 8 milionë lekë, të cilat nuk ishin të justifikuara me dokumentacion ligjor.
Hetimet treguan se ‘Buzi Sport’ përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për monitorimin dhe lëshimin e faturave tatimore. Ky sistem, që operonte përmes platformës online të palicencuar “store.dyqanimen.com”, mundësonte lëshimin e faturave të falsifikuara, të cilat përmbanin mangësi të elementeve të kërkuara nga legjislacioni tatimor dhe ishin të pafiskalizuara. Në disa raste, subjekti lëshonte fatura me vlera më të mëdha, ndërkohë që deklaronte një vlerë shumë më të vogël për qëllime tatimore, duke shmangur kështu pagesën e detyrimeve tatimore. /ekofin.al