Paraja fizike nuk po zhduket ende, por po humbet terren me shpejtësi. Në të gjithë zonën e euros, gjithnjë e më shumë njerëz po paguajnë me karta, telefona inteligjentë dhe aplikacione, ndërsa roli i parasë së gatshme në jetën e përditshme po zvogëlohet.
Për Bankën Qendrore Evropiane (BQE), ky tranzicion digjital ngre një pyetje serioze: si ta ruajmë rolin e parasë publike në një botë që po shkon drejt pagesave pa para fizike?
Përgjigjja e tyre: euroja digjitale – një monedhë digjitale e Bankës Qendrore e dizajnuar të funksionojë si para fizike, por në formë elektronike.
“Arsyeja kryesore për emetimin e euros digjitale është të ruajmë përfitimet e parasë së gatshme në epokën digjitale,” tha në korrik Piero Cipollone, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së.
Pse qytetarët kanë nevojë për një formë digjitale të parasë?
Sipas Cipollone, pa një euro digjitale, BQE-ja rrezikon të humbasë rolin e saj kryesor në transaksionet e përditshme të njerëzve.
Nga 2019 në 2024, pjesa e pagesave me para në dorë në eurozonë ra ndjeshëm – nga 68% në 40% sipas numrit të transaksioneve dhe nga 40% në vetëm 24% sipas vlerës.
“Pamundësia për të përdorur para fizike në transaksione online ose në pagesa digjitale në pika shitjeje na privon nga një opsion kyç pagese,” tha ai.
“Kjo ul qëndrueshmërinë, konkurrencën, sovranitetin dhe, në fund, lirinë e konsumatorëve për të zgjedhur mënyrën e pagesës.”
Pa këtë instrument, varësia nga ofruesit privatë dhe shpesh jo-evropianë të pagesave vetëm do të rritej.
Rreziku më i madh, sipas tij, lidhet me sovranitetin monetar: sa më shumë të rriten pagesat digjitale dhe të bjerë përdorimi i parasë, aq më shumë kontrolli kalon tek kompani private dhe platforma të huaja.
Euroja digjitale do të siguronte që paraja e bankës qendrore të mbetet relevante në jetën e përditshme – qoftë kur blini ushqime, paguani online apo i transferoni para një miku.
Pse paraja fizike ende mbetet “mbret” në Evropë
Qytetarët evropianë gjithmonë kanë pasur të drejtën të përdorin paranë e bankës qendrore në të gjithë bllokun. Por nëse kjo e drejtë nuk mund të ushtrohet në mënyrë digjitale, ndërkohë që përdorimi i parasë fizike bie, ajo shtyllë fillon të lëkundet.
Ekonomisti Filippo Taddei nga Goldman Sachs paralajmëroi se shumë biznese të vogla dhe konsumatorë ende preferojnë paranë e gatshme – në disa vende madje preferenca po rritet.
Sipas tij, në Austri mbi 50% e SME-ve ende parapëlqejnë cash, në Itali gati 40%, ndërsa mesatarja e eurozonës është rreth 30%.
Ai theksoi se pa një valutë digjitale publike, likuiditeti i euros mund të dëmtohet, duke lejuar që monedhat private ose platformat e huaja të dominojnë.
Një avantazh tjetër: euroja digjitale do të funksionojë edhe offline – duke ofruar një metodë të sigurt pagese në raste emergjencash si fatkeqësi natyrore apo ndërprerje energjie.
Si do të funksionojë euroja digjitale?
Sipas projektit të BQE-së, qytetarët do ta përdorin përmes një portofoli digjital, të ofruar nga bankat ose një autoritet publik; pagesat do të jenë të menjëhershme, falas dhe të disponueshme online dhe offline; fondet do të ngarkohen nga llogaritë bankare ose edhe me para fizike; do të ketë kufij mbajtjeje për të shmangur largimin masiv të depozitave nga bankat; privatësia e përdoruesve do të garantohet – BQE nuk do të mund të gjurmojë blerjet ose të dhënat personale.
Një euro digjitale do të barazohet gjithmonë me një euro fizike – një alternativë publike, pa rrezik, ndaj pagesave digjitale tregtare.
Kur pritet të emetohet euroja digjitale?
Mos prisni ta shkarkoni portofolin digjital ende. BQE është ende në fazën përgatitore deri në tetor 2025.
Vetëm pas kësaj, Këshilli Drejtues do të vendosë nëse do të ecë përpara, pasi procesi ligjor të përfundojë.
Sipas parashikimeve, faza e zhvillimit do të zgjasë 2–3 vjet, që do të thotë një lançim i mundshëm mes 2027 dhe 2029. Presidenti i Bundesbank, Joachim Nagel, sugjeroi 2028 ose 2029 si më realiste.
A mund ta zëvendësojë dollarin?
Ka pasur debate për mundësinë që monedhat digjitale të sfidojnë dominimin e dollarit amerikan.
Por BQE ka qenë e qartë: euroja digjitale nuk ka të bëjë me gjeopolitikën apo me sfidimin e rendit financiar global.
Është një mjet pagese me pakicë, i menduar për qytetarët evropianë, jo për rezervat ndërkombëtare. Edhe pse euroja përbën rreth 20% të rezervave valutore globale (kundrejt 53% të dollarit), roli i dollarit mbetet dominues falë madhësisë së tregut, besimit dhe rrjeteve të krijuara prej dekadash./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
