Një sondazh i ri Special Eurobarometer, i publikuar më 2 shtator, tregon se 56% e qytetarëve të BE-së janë pro zgjerimit të mëtejshëm të Unionit, ndërsa mbështetja është veçanërisht e lartë tek të rinjtë.
Në të njëjtën kohë, mbështetja për zgjerimin e BE-së në vendet kandidate është më e larta në Shqipëri (91%). Në të kundërt, Serbia shfaq nivelin më të ulët të mbështetjes për anëtarësimin në BE në rajon, me vetëm 33%.
Sondazhi i Eurobarometrit tregon se nivelet e ulëta të ndërgjegjësimit për Bashkimin Evropian dhe politikën e zgjerimit janë një sfidë e përbashkët në të gjitha vendet kandidate, me një pjesë të konsiderueshme qytetarësh që ndihen jo mirë të informuar. Vetëm 48% në Moldavi dhe 39% në Mal të Zi shprehen se janë mirë ose shumë mirë të informuar, ndërsa shifrat bien në 23% në Ukrainë dhe 20% në Serbi.
Në fqinjësinë lindore, vendet kandidate Gjeorgjia dhe Ukraina kryesojnë me përkatësisht 74% dhe 68% mbështetje për anëtarësimin në BE.
Në përgjithësi, entuziazmi për anëtarësimin në BE mbetet i fortë, megjithëse ndikohet nga shqetësimet ekonomike dhe gjeopolitike specifike të çdo vendi.
Ukraina, kandidati më i favorizuar – Mali i Zi pason
Sondazhet e Eurobarometrit tregojnë se Ukraina shihet si kandidati më i favorizuar, me 52% të të anketuarve në BE që shprehin mbështetje për anëtarësimin e saj, sapo të përmbushen të gjitha kushtet, ndërsa 41% janë kundër.
Mali i Zi pason ngushtë, me 51% të të anketuarve që japin mbështetje dhe 38% që janë kundër.
Më tej, Bosnja dhe Hercegovina grumbullon mbështetje nga 48% e të anketuarve, ndërsa 41% janë kundër; Serbia mbështetet nga 47%.
Mbështetjen më të ulët nga vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor e merr Kosova, me vetëm 43% mbështetje, ndërsa Shqipëria rezulton me 45%.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se rezultatet tregojnë se qytetarët duan një proces të besueshëm, të bazuar në vlera dhe të udhëhequr nga reforma reale.
“Bashkë me Shtetet Anëtare, do të angazhohemi drejtpërdrejt me qytetarët, do të adresojmë shqetësimet e tyre dhe do të tregojmë se si zgjerimi sjell paqe, mirëqenie dhe një Evropë më të bashkuar”, tha Kos./Përshtati nga European Western Balkans, ekofin.al
