Monedha e përbashkët evropiane ka shënuar një tjetër rekord të ri zhvlerësimi në tregun shqiptar. Për herë të parë, euro ka rënë në nivelin 97 lekë, duke vijuar trendin rënës përgjatë kësaj jave që po mbyllet. Ky zhvillim është veçanërisht domethënës, pasi ndodh në një periudhë kur zakonisht pritshmëritë janë për stabilizim apo përforcim të saj, për shkak të mbylljes së sezonit turistik dhe uljes së flukseve të valutës së huaj.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro ka humbur terren në mënyrë të pandërprerë gjatë ditëve të fundit, duke u këmbyer në nivelet më të ulëta historike. Megjithëse Banka Qendrore ka ndërhyrë aktivisht në treg, përmes ankandeve të rregullta të blerjes së valutës me qëllim tërheqjen e sasive të mëdha të euros dhe frenimin e rënies, efekti i këtyre operacioneve është treguar i kufizuar.
Rënia e euros është e lidhur me disa faktorë kryesorë, si teprica e valutës në treg, si rezultat i hyrjeve të larta gjatë sezonit turistik dhe remitancave të emigrantëve, likuiditeti i bollshëm i sistemit bankar, ku kërkesa për valutë mbetet më e ulët se oferta, si edhe struktura e ekonomisë shqiptare, e cila varet ende shumë nga hyrjet sezonale të valutës, duke e bërë kursin e këmbimit të ndjeshëm ndaj luhatjeve të flukseve.
Për shumë qytetarë dhe biznese që operojnë në valutë, sidomos eksportuesit, ky zhvlerësim i mëtejshëm i euros përkthehet në humbje të ardhurash. Eksportuesit shqiptarë, që paguhen në euro por kanë shpenzime kryesisht në lekë, janë ndër më të prekurit nga ky fenomen, pasi të ardhurat e tyre reale reduktohen ndjeshëm.
Nga ana tjetër, rënia e euros ka ndikim pozitiv për individët dhe bizneset që kanë kredi apo detyrime në valutë, pasi pagesat e tyre në lekë bëhen më të ulëta. Gjithashtu, konsumatorët përfitojnë nga çmimet më të favorshme për mallrat e importuara.
Sipas ekspertëve, mbetet për t’u parë nëse rënia e euros do të jetë kalimtare apo do të thellohet më tej. Por fakti që kursi këtë herë ka arritur 97 lekë, pavarësisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, tregon se presionet mbi tregun e këmbimit po bëhen më të forta. /ekofin.al

