Euro nuk ka të ndalur në rënien e saj ndaj lekut. Monedha e përbashkët evropiane ka zbritur sot për herë të parë në histori nën nivelin e 93 lekëve, duke u këmbyer me 92.96 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Zhvlerësimi i euros po ndodh në kulmin e sezonit turistik, periudhë kur hyrjet e valutës në ekonomi arrijnë nivelet më të larta të vitit. Flukset e konsiderueshme nga turistët, remitancat e emigrantëve dhe të ardhurat nga eksportet e shërbimeve turistike kanë rritur ndjeshëm ofertën e euros në treg, duke ushtruar presion të vazhdueshëm për forcimin e monedhës vendase.
Tendenca pritet të vijojë edhe gjatë ditëve në vijim. Duke qenë se Shqipëria ndodhet në javën më intensive të sezonit veror, oferta e lartë e valutës pritet të mbajë nën presion euron, duke mos përjashtuar një zhvlerësim të mëtejshëm të saj edhe gjatë kësaj jave.
Rënia e euros po ndodh pavarësisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, e cila prej javësh ka intensifikuar operacionet e blerjes së euros në tregun e brendshëm. Qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është zbutja e luhatjeve të forta të kursit të këmbimit dhe frenimi i mbiçmimit të lekut, i cili po krijon vështirësi për eksportuesit dhe sektorët që sigurojnë të ardhura në euro.
Megjithatë, deri tani presioni i tregut ka rezultuar më i fortë se efekti i këtyre ndërhyrjeve. Oferta e lartë e valutës ka vijuar të dominojë kërkesën, duke e shtyrë euron në nivele të reja minimale historike.
Për konsumatorët dhe bizneset që kryejnë pagesa në euro, ky zhvillim ul koston e importeve dhe të shlyerjes së detyrimeve në valutë. Në krahun tjetër, eksportuesit, industria e turizmit që arkëton në euro, si dhe familjet që marrin remitanca, vijojnë të përballen me tkurrje të të ardhurave të konvertuara në lekë, ndërsa forcimi i monedhës vendase po bëhet gjithnjë e më i ndjeshëm në aktivitetin e tyre ekonomik./ekofin.al

