Euro ka vijuar “revanshin” ndaj Lekut këtë javë duke u vlerësuar sërish këtë të enjte në kursin e këmbimit. Për herë të parë që prej gushtit 2024, monedha evropiane është ngjitur mbi 100 Lek në kursin e publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Në vitin 2024 kursi i këmbimit është shoqëruar nga një rënie e thellë e euros dhe një mbiçmim i fortë i lekut. Ndërsa ky vit duket se ka nisur ndryshe për monedhën evropiane, e cila brenda katër ditëve është vlerësuar me mbi 2 lek.
Efektet e këtij vlerësimi mund të jenë momentale, sipas ekspertëve, ndikuar edhe nga pagesat e larta të bëra në lek nga buxheti i shtetit këtë periudhë. Megjithatë, mbetet për t’u vlerësuar sesi do të jetë ecuria në vazhdim.
Në raportin e fundit për Shqipërinë, FMN paralajmëroi se një vlerësim i papritur i euros mund të sillte ndikime dhe rritje kostosh për bizneset, por edhe familjet shqiptare. /ekofin.al