Etugert Llazi është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, duke zëvendësuar në detyrë Sokol Bardhin, i cili qëndroi aty prej shkurtit të këtij viti. Llazi merr tani drejtimin e institucionit përgjegjës për regjistrimin, transparencën dhe shërbimet publike ndaj biznesit në Shqipëri – një nga hallkat kyçe të ekosistemit ekonomik dhe formalizimit të sipërmarrjes.
Emërimi i tij vjen në një moment vendimtar për modernizimin e proceseve të QKB-së, dixhitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve dhe forcimin e standardeve të qeverisjes institucionale. Profili i Llazit, i ndërtuar në disa prej institucioneve kryesore ekonomiko-financiare të vendit, konsiderohet një garanci për vazhdimësinë e reformave dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj sipërmarrjes.
Gjatë karrierës së tij, Etugert Llazi ka mbajtur rol kyç në Ministrinë e Financave si Drejtor i PIM (Programit të Investimeve Publike), një pozicion që përfshin analizën, prioritarizimin dhe mbikëqyrjen e projekteve kombëtare të investimeve – një prej strukturave më strategjike për përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik.
Përpara kësaj detyre, ai ka drejtuar sektorë të rëndësishëm tatimorë dhe statistikorë, si Drejtor i Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve (2020–2022), ku ka menaxhuar një nga proceset më kritike për likuiditetin e bizneseve, duke rritur transparencën dhe afatet e rimbursimit.
Më herët ka mbajtur detyrën Drejtor i Statistikave Ekonomike në INSTAT (2018–2020), ku ka kontribuar në përmirësimin e metodologjive statistikore dhe publikimin e indikatorëve kyç për ekonominë, tregtinë dhe biznesin.
Këto pozicione e kanë pajisur me ekspertizë të gjerë në analiza ekonomike, menaxhim të të dhënave, procese fiskale dhe hartim politikash publike – një bazë solide për drejtimin e një institucioni me peshë si QKB. Para marrjes së kësaj detyre, Llazi ka shërbyer si Këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe së fundmi në Ministrinë e Brendshme.
Në krye të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Etugert Llazi pritet të fokusohet në rritjen e transparencës dhe thjeshtimin e procedurave të regjistrimit të bizneseve; modernizimin e shërbimeve elektronike dhe rritjen e aksesit për sipërmarrjen;
forcimin e kontrollit dhe verifikimit të të dhënave në Regjistrin Tregtar dhe Regjistrin e Përfituesve Përfundimtarë; si edhe përmirësimin e standardeve të qeverisjes, monitorimit dhe koordinimit me institucionet e tjera fiskale dhe ekonomike. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

