Në një treg financiar që po evoluon me ritme gjithnjë e më të shpejta, mundësitë dhe alternativat e investimit janë zgjeruar edhe për investitorët shqiptarë. Por ata duhet të tregohen të vëmendshëm dhe t’u drejtohen institucioneve të licencuara dhe të këshillohen me profesionistët përpara ndërmarrjes së investimeve. Çfarë ofron sot tregu financiar shqiptar dhe si garantohet mbrojtja e investitorëve? Erjon Taçe, Drejtor i Departamentit të Tregjeve Globale në OTP Bank Albania, një prej aktorëve kryesorë të tregut financiar në vend, flet në ekofin.al mbi alternativat e investimit përtej alternativave tradicionale, si edhe për mundësitë që kanë tashmë qytetarët shqiptarë për të aksesuar direkt tregjet financiare ndërkombëtare.
Cilat janë alternativat kryesore të investimit për qytetarët shqiptarë?
Alternativat kryesore mbeten ato tradicionale që ofrohen nga bankat dhe tregu bankar, i cili zë peshën më të madhe në vend. Bankat dhe institucionet para-depozituese ofrojnë një larmi produktesh për pranimin e investimeve apo depozitave të publikut. Këto produkte konsiderohen të barasvlefshme me cash-in, pasi janë lehtësisht të kthyeshme dhe kanë kosto minimale – ose thuajse zero. Ato ofrojnë një normë kthimi të pranueshme për investitorët që kërkojnë likuiditet dhe, njëkohësisht, janë të leverdishme për bankat, të cilat i riinvestojnë këto fonde për të kredituar ekonominë.
Një alternativë tjetër është tregu i instrumenteve financiare, si Bonot e Thesarit apo Obligacionet Qeveritare, të njohura prej kohësh për qytetarët. Megjithëse aksesi në këto instrumente është rritur, produktet bankare mbeten më të përdorura për shkak të tipologjisë së investitorëve, nivelit të edukimit financiar, madhësisë së tregut, dhe zhvillimit të institucioneve financiare. Tregu Financiar është edhe më i larmishëm në alternativë:
Nëpërmjet OTP Bank, qytetarët/investitorët kanë sot akses në një spektër të gjerë instrumentesh financiare: bono thesari, obligacione qeveritare e korporative, por edhe aksione, kuota të fondeve të investimit – të gjitha këto, të tregtueshme në bursa, platforma tregtimi apo edhe jashtë tyre.
Cila është mbrojtja që u ofrohet qytetarëve kur investojnë përmes institucioneve financiare?
Institucionet para-depozituese dhe bankat në Shqipëri janë subjekte të rregulluara nga Banka e Shqipërisë. Në këtë kuadër, publiku gëzon mbrojtje përmes skemës së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), e cila garanton një nivel sigurie të krahasueshëm me tregjet e zhvilluara.
Për sa i përket investimit në instrumente financiare, përveç bankave, në treg operojnë edhe shoqëritë komisionere (brokerat), të rregulluara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Mbrojtja për investitorët është e sanksionuar në legjislacionin përkatës, duke nisur me kategorizimin e tyre sipas profilit, si dhe testet që i bëhen klientëve për të parë nivelin e tyre të eksperiencës dhe njohurive për produktet financiare. Banka mundëson investimin e klientëve kur produktet janë të përshtatme për këta klientë.
Gjithashtu, ekzistojnë mekanizma mbrojtës të lidhur me transparencën dhe raportimin: çdo urdhër investimi duhet të konfirmohet ose refuzohet me arsyetimin përkatës (si psh. nëse klienti nuk është i përshtatshëm për llojin e investimit që dëshiron të realizojë), ndërsa të gjitha komunikimet dhe transaksionet ruhen sipas afateve ligjore. Megjithatë, në fund, vendimmarrja për marrjen e riskut dhe realizimin e investimit i përket vetë investitorit dhe me vullnetin e tij të plotë.
Si ka evoluar tregu financiar në Shqipëri në lidhje me platformat dhe mundësitë për akses në tregjet ndërkombëtare?
Prezantimi i platformave digjitale në tregun shqiptar ka qenë i vonuar, kryesisht për shkak të mungesës së penetrimit të këtyre produkteve në shportën e shërbimeve të institucioneve financiare. Rolin kryesor në këtë drejtim e luajnë bankat, dhe OTP Bank është një ndër liderët për akses në tregjet ndërkombëtare.
OTP u ofron investitorëve shqiptarë mundësinë për të investuar në aksione, obligacione dhe fonde investimi që tregtohen në bursa të huaja. Ndërkohë, pjesa më e madhe e operatorëve në treg ofrojnë akses vetëm përmes pjesëmarrjes në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë. Në rastin e OTP Bank, përmes kanaleve bazë të bankingut, qytetarët mund të investojnë duke qenë prezent në degë, por edhe nëpërmjet telefonit, ndërsa ndërtimi i një platforme të mirëfilltë digjitale do të varej edhe nga potencialet e tregut.
Si ka ndikuar rregullimi ligjor i tregjeve të kapitalit dhe fondeve të investimit në rritjen e besueshmërisë dhe mbrojtjen e konsumatorëve?
Rregullimi ligjor i tregjeve të kapitalit dhe fondeve të investimit ka qenë një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të tregut financiar shqiptar. Ligji për tregjet e kapitalit dhe ai për sipërmarrjet e investimeve kolektive janë në përputhje me direktivat evropiane dhe kanë hapur rrugën për produkte dhe qasje të reja.
Tashmë, operatorët e tregut kanë një bazë të qartë ligjore për të ofruar shërbime investimi dhe, njëkohësisht, për të garantuar mbrojtjen e investitorëve. Kategorizimi i klientëve është i detyrueshëm, duke u bazuar në profilin e tyre të riskut, përvojën dhe njohuritë mbi produktet. Për klientët që nuk kanë përvojë me produkte komplekse, janë të parashikuara procedura të testimit të përshtatshmërisë. Testimi i klientëve dhe profilizimi i tyre ështe hap kyç përpara se të ofrohet dhe këshillimit financiar.
Ky kuadër ligjor nuk është vetëm një pasqyrim i standardeve europiane, por edhe një instrument për të garantuar një treg të sigurt, transparent dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët./ekofin.al
