Të licencuarit në furnizimin me energji elektrike në tregun e lirë detyrohen të publikojnë ofertat e furnizimit, duke nisur nga data 2.12.2024.
Vendimi i bordit të Entit Rregullator të Energjisë, i botuar në Fletoren Zyrtare thekson se në përmbushje të detyrave ligjore, tashmë ka përfunduar implementimin e Platformës Krahasuese të Çmimeve (PCT) në tregun e lirë, e cila është bërë e aksesueshme jo vetëm për furnizuesit e energjisë elektrike, por edhe për konsumatorët që nga data 15 mars 2024, në faqen zyrtare të internetit të ERE-s www.ere.gov.al.
Sipas ligjit nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, në nenin 109, përcaktohet detyrimi për konsumatorët që të dalin në treg të lirë, ku klientët fundorë duhet të kenë të drejtë të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë elektrike. Të gjithë furnizuesit duhet t’i ofrojnë klientit informacion të mjaftueshëm, ku përshkruhen qartësisht shërbimet e ofruara, ofertat përkatëse, rrethanat e ndërprerjes së shërbimit të furnizimit, si dhe pagesave të tjera të lidhura me shërbimin e furnizimit apo ndërprerjes së tij.
ERE thekson gjithashtu se që prej vitit 2023 ka punuar në mënyrë intensive për të realizuar e vënë në operim Platformën e krahasimit të çmimeve. Në vijim pas ndjekjes së hapave të njoftimit furnizuesve se platforma është gati u ka kërkuar furnizuesve të energjisë elektrike që të marrin masa të menjëhershme për publikimin e ofertave të furnizimit të energjisë elektrike në platformën PCT: https://pct.ere.gov.al/home.
Duke ezauar të gjitha hapat proceduralë, Bordi i ERE-s ka vendosur detyrimin e publikimit të ofertave të furnizimit me energji elektrike nga të licencuarit në aktivitetin e furnizimit në tregun e lirë në Platformën e krahasimit të çmimeve të krijuar nga ERE (PCT). PCT-ja u ofron konsumatorëve një mundësi për të bërë zgjedhje të informuara dhe për të vlerësuar ofertat e furnizuesve në treg të lirë, duke promovuar kështu një treg të qëndrueshëm dhe konkurrues, ndaj dhe publikimi i ofertave në PCT është një kërkesë për të siguruar konkurrencën dhe transparencën për konsumatorët.
Subjektet kanë detyrimin të publikojnë ofertat e furnizimit dhe të përcaktojnë afatet e vlefshmërisë për çdo ofertë të publikuar, duke filluar nga data 2.12.2024.
Çdo palë e përfshirë në këtë procedurë mund t’i kërkojë ERE-s, brenda 7 ditëve kalendarike nga data e marrjes së vendimit, rishikimin e vendimit të Bordit në rast se ka siguruar prova të reja që mund ta çojnë Bordin në marrjen e një vendimi të ndryshëm nga i mëparshmi apo për gabime materiale të konstatuara. Vendimi i ERE-s ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është i ankimueshëm në Gjykatën Administrative Tiranë, brenda 30 ditëve kalendarike nga dita e publikimit në Fletoren Zyrtare./ekofin.al

