Nisja e sezonit veror dhe rritja e flukseve të turistëve të huaj, shoqëruar edhe me efektet e tjera, siç janë qarkullimi informal i parasë, e kanë zbritur euron këtë të hënë në pikën më të ulët historike të këmbimit me lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 97.93 lekë, shifër kjo edhe më e ulët se rekordi i mëparshëm, i vendosur në 6 maj, që u lexua në atë rast nga ekspertët si efekti i zgjedhjeve të 11 majit.
Në përgjithësi në muajt e parë të këtij viti, monedha evropiane ka patur një lloj stabiliteti në kursin e këmbimit, duke u luhatur në intervalin 98-99 lekë, ndërsa tani ajo po zbret edhe nën kufirin e 98 lëkeve, duke vijuar zhvlerësimin e mëtejshëm.
Parashikimet janë që me nisjen e sezoit veror e deri në fund të gushtit, ndikuar nga efektet sezonale, monedha evropiane të pësojë një zhvlerësim të metejshëm. Kjo megjithë ndërhyrjen e forta të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në tregun valotor, përmes operacioneve të saj të blerjes së euros. Vitin e kaluar, Bsh bleu afro 1 miliardë euro, por përsëri kjo nuk e frenoi rënien e mëtejshme të monedhës evropiane.
Java ka nisur gjithashtu në rënie për të gjitha monedha e tjera kryesore, përfshirë edhe dollarin amerikan. Së bashku me paundin britanik, monedha amerikane është zhvlerësuar me -0.21 pikë, ndërkohë që edhe franga zvicerane ka humbur 0.22 pikë nga lekut. Ekspertët e argumentojnë këtë forcim të metejshëm të lekut me efektet sezonale të prurjeve në vlera më të mëdha të valutës së huaj nga rritja e numrit të turistëve, por edhe nga një forcim i parametrave ekonomikë, si edhe ulja e nivelit të borxhit, që e bën ekonominë tonë më të fortë edhe në sytë e investitorëve të huaj. Pjesa tjetër që vijon të luajë rol, por që është jashtë shpjegim klasik ekonomik, është ndikimi i parasë informale, që sipas të dhënave vijon të qarkullojë në nivele shumë të larta. /ekofin.al