Sektori i energjisë do të jetë një ndër prioritetet e mandatit të katërt të qeverisë “Rama” . Në Programin Qeverisës janë vendosur objektiva ambicioze, investime strategjike në prodhim, shpërndarje dhe diversifikim të burimeve, duke synuar siguri energjetike, ulje të ndotjes dhe çmime më të favorshme për konsumatorët shqiptarë.
Projekte strategjike në prodhim dhe gazifikim
Qeveria planifikon krijimin e një kompanie shtetërore të tregut të naftës, me synimin për të ulur ndjeshëm çmimin final për konsumatorët. Gjithashtu, do të realizohet projekti FTL Charge by OSHEE, për të mundësuar kushte të favorshme për flotat elektrike dhe tranzicionin drejt automjeteve të gjelbra.
Plani parashikon gjithashtu rivitalizimin e TEC-it të Vlorës, përmes konvertimit në gaz natyror dhe shtimin e 250 MW kapacitete të reja, duke e lidhur infrastrukturën me TAP. Po ashtu, TEC-et lundruese në Gjirin e Vlorës do të konvertohen nga nafta në gaz, duke reduktuar ndotjen.
Një tjetër projekt madhor është gazifikimi i qytetit të Korçës me një investim mbi 50 milionë euro, si hap i parë drejt zgjerimit të rrjetit të gazit në vend.
Në kuadër të integrimit në tregun evropian, qeveria synon të trefishojë kapacitetin e eksportit të energjisë në 3,000 MW, duke e pozicionuar Shqipërinë si një nyje kyçe në rajon. Për këtë qëllim, do të ndërtohen linja të reja interkonjeksioni me Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, si dhe një linjë e re nënujore Shqipëri–Itali, që do të lidhë vendin me rrjetin energjetik europian.
Plani përfshin gjithashtu projekte të mëdha të “pump storage” si Koman–Fierzë (200 MW) dhe Kaskada e Devollit (1,200–1,600 MW), për të garantuar stabilitet të burimeve të rinovueshme dhe një rezervë strategjike energjie.
Ndërtesa të gjelbra
Për të përmbushur qëllimin e dekarbonizimit dhe efiçiencës energjitike të ndërtesave Plani Kombëtar i Rinovimit të Ndërtesave parashikon prej 30 –35 milionë euro/vit, duke rinovuar stokun publik dhe privat sipas standardeve të BE-së, me qëllim uljen e konsumit të energjisë.
Po ashtu, qeveria synon të krijojë Akademinë e Energjisë, për të formuar profesionistë të rinj, si dhe do të mbështetet kërkimi shkencor dhe inovacioni në sektor.
Modernizimi i rrjetit dhe ulja e humbjeve
Një nga shtyllat kryesore të planit është përmirësimi i rrjetit të shpërndarjes me investime të koordinuara të OST dhe OSSH, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm në zonat me zhvillim intensiv. Synohet që humbjet në shpërndarje të bien në më pak se 12%, falë teknologjive të reja të matjes dhe rrjeteve inteligjente.
Diversifikimi i burimeve dhe energjia e gjelbër
Qeveria planifikon shtimin e 500 MW të rinj nga burimet e rinovueshme, duke synuar 1,500 MW deri në vitin 2030. Një pjesë kyçe e këtij vizioni është ndërtimi i parkut më të madh eolik në vend, në Tropojë, me kapacitet 600 MW, si dhe mbështetja për panelet diellore, biokarburantet dhe sistemet qendrore të ngrohjes/ftohjes me subvencione dhe skema incentivimi. /ekofin.al

