Qeveria shqiptare realizoi të hënën emetimin e parë të obligacioneve me maturitet 15 vjeçar.
Ankandi kishte synim testimin e tregut për tituj borxhi me afate më të gjata maturimi dhe të dhënat e ankandit tregojnë se ky testim rezultoi i suksesshëm. Nga 1 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur e obligacioneve për shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale me vlerë mbi katër herë më të lartë, gjithsej 4.295 miliardë lekë.
Në ankand u paraqitën 48 kërkesa konkurruese, nga të cilat u pranuan vetëm nëntë. Kuponi i obligacionit ishte 5.88%, nivel më i ulët se kuponi indikativ prej 6.2% që ishte paraqitur para ankandit nga Ministria e Financave. Yield-et e ofruara nga pjesëmarrësit në ankand ishin në intervalin mes 5.2% dhe 7%. Pjesëmarrje e lartë dhe normat e favorshme të interesit bënë që Ministria e Financave ta rriste vlerën e obligacioneve të shitura edhe me 150 milionë lekë të tjera, për një huamarrje totale prej 1.15 miliardë lekësh.
Obligacionet 15 vjeçare janë titujt e borxhit më afatgjatë të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Ato mund të jenë një alternativë e mirë sidomos për investitorët institucionalë që synojnë rritjen e kthimeve të portofolave afatgjata, si për shembull fondet e pensionit.