Në tregjet financiare u shënua një rënie e vëllimeve të tregtimit të titujve të Qeverisë dhe normat e interesit ranë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024.
Sipas Analizës së Bankës së Shqipërisë, në tregun parësor të titujve të borxhit të qeverisë, vëllimi i emetimeve shënoi rënie me rreth 43%, ndikuar nga emetimet më të ulëta për titujt afatshkurtër dhe ata afatgjatë. Gjatë periudhës, u emetuan rreth 140 miliardë lekë borxh nga ana e qeverisë dhe i gjithë emetimi ishte në monedhën vendase.
Pavarësisht rënies së vëllimit të emetimeve, norma mesatare e ponderuar e interesit ra me 0.3 pikë përqindjeje (p.p.), në nivelin 3.9%. Kjo rënie e yield-eve reflektoi edhe uljen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në muajt korrik dhe nëntor. Për titujt afatshkurtër, norma mesatare e interesit u ul me 0.5 p.p. në nivelin 3.0%, ndërsa për titujt afatgjatë ajo ra me 0.4 p.p., në 4.6%.
Në përgjithësi, oferta e investitorëve ka qenë më e lartë dhe e ka mbuluar më mirë nevojën e qeverisë për huamarrje. Preferenca e investitorëve ka qenë për titujt e borxhit afatgjatë. Jorezidentët kanë rritur më tej kërkesën për titujt e borxhit të qeverisë shqiptare në lek.
Në fund të vitit 2024, portofoli i jorezidentëve në Lek ishte rreth 14 miliardë lekë ose sa rreth 2% e borxhit të përgjithshëm të qeverisë në formën e letrave me vlerë të emetuara në monedhën vendase.
Edhe vëllimi i transaksioneve të financimit në tregun ndërbankar shënoi rënie. Kjo ecuri u diktua nga tkurrja e vëllimit të transaksioneve njëjavore, të cilat mbizotërojnë në vëllimet e transaksioneve në këtë treg. Interesat e aplikuara nga bankat për transaksionet e financimit në tregun ndërbankar, gjithashtu kanë rënë, duke ndjekur uljen e normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.
Emetimet në tituj afatshkurtër ishin rreth 62 miliardë lekë ose 56% më pak në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar. Pothuaj e gjithë vlera e emetimit ishte në tituj me maturim 12-muaj. Në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë, vëllimi i emetuar në tituj afatshkurtër ishte 27% më i ulët. Gjatë periudhës u zhvillua vetëm një ankand për tituj me maturim 6-muaj, por kërkesa për të ishte më e ulët nga oferta e shpallur, çka rezultoi në një emetim me vlerë mjaft të ulët. Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit nuk pati asnjë emetim në tituj me maturim 3 muaj.
Vëllimi i titujve afatgjatë të emetuar gjatë periudhës ishte rreth 78 miliardë lekë, ose 24% më pak në krahasim me gjashtëmujorin paraardhës, por në nivel të krahasueshëm me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023. /ekofin.al

