Sistemi i prokurorisë në Shqipëri po përballet me një mungesë të theksuar burimesh njerëzore, si pasojë e procesit të vetting-ut dhe daljes në pension të prokurorëve. Sipas të dhënave zyrtare nga raporti vjetor i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nga 341 prokurorë që parashikon organika në të gjithë sistemin, përfshirë SPAK, vetëm 218 ishin në detyrë në dhjetor 2024, një mbulim prej vetëm 63.9% të kapacitetit total.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), në përpjekje për të adresuar këtë deficit të ndjeshëm, ka bërë një projeksion të hollësishëm të nevojave të sistemit për tri vitet e ardhshme. Aktualisht, 78 studentë ndjekin programin e formimit për profilin e prokurorit në Shkollën e Magjistraturës, ndërkohë që numri i vakancave të përhershme në sistemin e prokurorisë ka arritur në 53 vende, krahas 70 vakancave të përkohshme të krijuara kryesisht nga procesi i rivlerësimit kalimtar.
Nëse në këto të dhëna shtohen edhe 4 prokurorët që do të mbushin moshën e pensionit deri në vitin 2029, numri total i vakancave të përhershme mund të shkojë deri në 117, duke përjashtuar 13 prokurorët e SPAK që pritet të kthehen në detyrë pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar.
Për të ruajtur balancën dhe cilësinë e magjistratëve, KLP ka vendosur që për vitin akademik 2025–2026 të pranohen vetëm 12 kandidatë të rinj në profilin prokuror në Shkollën e Magjistraturës. Ky vendim vjen në një kohë kur vetting-u ka krijuar trysni mbi kapacitetin njerëzor të sistemit, pasi 90% e ankimimeve ndaj shkarkimeve janë rrëzuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), duke bërë që shumica e vakancave të përkohshme të shndërrohen në të përhershme.
Krahas kësaj, rreth 26 prokurorë të cilëve u është konfirmuar detyra janë ende në proces shqyrtimi nga KPA, ku statistikat tregojnë se 50% e këtyre vendimeve konfirmuese janë rrëzuar në tri vitet e fundit. Kjo do të thotë se edhe më shumë vakanca të përhershme pritet të hapen së shpejti.
Duke vlerësuar në vijimësi ecurinë e proceseve të mësipërme, KLP do të bëjë planifikimin duke miratuar numrin e nevojshëm të kandidatëve, profili prokuror, që do të ndjekin Shkollën e Magjistraturës në vitet në vazhdim me qëllim plotësimin e vakancave që do të krijohen në sistemin e prokurorisë, thuhet në raport. /ekofin.al


